Djali i madh ka kërcënuar se do të bllokojë hetuesit. Kuvendi miratoi ligjin dy ditë më parë

Një ditë pasi Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me unanimitet ligjin që u hap rrugën hetimeve në lidhje me akuzat e ish-senatorit Dick Marty, familjarët e së ashtuquajturës ”Shtëpia e verdhë”, në Gurrë të Vogël të Matit, deklarojnë se do të kundërshtojnë kontrollin e shtëpisë së tyre nga prokurorët e Task Forcës së EULEX-it. Ditën e enjte Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me unanimitet ligjin për marrëdhëniet juridiksionale në çështjet penale me Task Forcën hetimore speciale të EULEX-it. Miratimi i ligjit të posaçëm është bërë me kërkesën e kryeprokurorit të Task-Forcës Speciale hetimore të BE-së, ambasadorit John Clint Williamson, i cili drejton hetimet e EULEX-it në lidhje me pretendimet e ngritura në raportin e Dick Martit.

Ndërkohë Mersini, djali i madh i “Shtëpisë së verdhë” aq shumë të përfolur, ka deklaruar dje për të përditshmen kosovare “Koha Ditore” se ai dhe familja e tij nuk janë dakord që EULEX-i të rikthehet në shtëpinë e tij për hetime e kontroll, pasi një gjë të tillë ata si familjarë e kishin kërkuar për 8 vjet me radhë.

Ai ka kërcënuar se do të bllokojë hetuesit  e EULEX-it, ashtu siç vepruan më 10 gusht të vitit 2009 me reporterët e KE-së. Në mars të vitit të kaluar, të zotët e shtëpisë së cilësuar nga deputeti zviceran Dick Marty si “shtëpia e verdhë”, kanë paditur raportuesin e Këshillit të Europës për shpifje dhe dëm moral në gjykatën e Tiranës.  Duke u shprehur në padinë e tyre se janë  dëmtuar moralisht pasi Dick Marty në raportin e tij ka bërë objekt hetimi shtëpinë e tyre pa asnjë argument dhe duke shpifur, kur e ka cilësuar si një spital ilegal ku ish-ushtarët e UCK-së kryenin transplantet ilegale të organeve njerëzore, kanë kërkuar 10 milionë lekë dëmshpërblim për dëmin që u është shkaktuar.
Raporti i Dick Marty

Draft raporti 30-faqesh i zviceranit të njohur për qëndrime antishqiptare, Dick Marty, theksonte se: “UÇK-ja qëndron pas trafikimit të organeve me njerëz, veçmas ndaj civilëve të mbajtur në burgjet sekrete në Shqipëri.

Ky lloj aktiviteti kriminal ka vazhduar të veprojë edhe pas luftës në forma të tjera, të ndërlidhura me krimin e organizuar, derisa Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit, EULEX-i zbuloi rastin e klinikës Medicus në Prishtinë për trafikim organesh”, thekson raporti.

Më tej përmendej se: “kjo çështje për herë të parë u përmend në librin autobiografik të ish-kryeprokurores së Hagës, Carla del Ponte, e cila e përmend trafikimin e organeve të njerëzve në kampet e UÇK-së, veçmas në Burrel, në vendin e njohur si Shtëpia e Verdhë. Organizatat ndërkombëtare pas vendosjes në Kosovë, në përpjekje për të pasur qasje pragmatiste duke siguruar stabilitetin në vend e rajon, sakrifikuan disa parime të drejtësisë. Ushtarët dhe UÇK-ja u amnistuan për krimet kundër civilëve”, shkruan raporti. Marty pretendon se: “pas luftës u zhdukën shumë dëshmi e dokumente, ndërsa dëshmitarët janë frikësuar”. Pritet që ish-senatori zviceran, Dick Marty, të japë dëshminë e tij për rastin “Medicus” më 18 qershor në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë. Kryetari i trupit gjykues, Arkadiush Sadek, ka thënë se ende nuk e di nëse Dick Marty do të vijë personalisht në Kosovë për të dëshmuar apo këtë do ta bëjë nëpërmjet ndonjë video-konference. (Shqip)

SHPËRNDAJE