Etnofest – festë kulturore

Në pesë ditët e këtij festivali të veçantë, u shfaqën drama, monodrama, këngë, valle dhe rite arkaike, u organizuan edhe ekspozita, ishte një performance multimediale, pati edhe përurim libri…E veçanta e këtij festivali (sivjet ishte edicioni i tij i dytë) është se kryesisht zhvillohet nën qiellin e hapet dhe një ambient rural fort fotogjenik, sikurse është ai i fshatit Kukaj, jo shumë larg nga Prishtina.

 

Nga Bajram SEFAJ

 

Prishtinë, 4 korrik / AIK-Presheva Jonë

 

Ideator dhe kreator i këtij manifestimi të mirëfilltë kulturor është intelektuali, regjisori dhe profesori i vyer, Fadil Hysaj, nga Prishtina. Ai kishte bërë përpjekje maksimale, por edhe ia kishte dalë, në masë të madhe, për të shtruar tryezë se më të pasur “specialitetesh” që do të kënaqin shijen dhe kërkesat e vizitorëve.

I ndihmuar edhe nga një rreth i bashkëpunëtorëve të ngushtë, ai këtu kishte sjellë shfaqje dramash, monodramash, ansamble të këngëve, valleve dhe riteve arkaike, por edhe ekspozita, një  performance multimediale si dhe përurimin e librit “999 anekdota” të autorit Sali Zogiani.

Tri shfaqje të mëdha teatrore ishin ato që tërhoqën vëmendjen më të përqendruar të vizitorëve: “Dardha te bunari”, “Cubi i Kukurrecit”, të dyja këto vepra dramatike, realizuar nga regjisorja e talentuar, Iliriana Arifi, si dhe shfaqja ”Një përkujtim për Kafe Teatrin”, autorit të tekstit dhe regjisë, Haqif Mulliqi. Sa i takon monodramave duhet veçuar atë me titull “Vdekja e një Mbretëreshe”, në interpretim mbresëlënës të aktores se re nga Tirana, zonjushës Arjeta Dhima, kur ishte edhe regjisore e kësaj monodrame. Qe të dukej sa më mirë vizualisht dhe dramaturgjikisht, Arjetën në këtë projekt e ndihmuan edhe tre balerinët, Elidon Brahimi, Armand Cuni dhe Ledian Gjeci. Fshion disiger, ishte Enisa Arapi. Krejt kjo ndodhte nën udhëheqjen artistike të Rozi Kostanit. (Të gjithë nga Tirana). Përshtypje të mirë lanë edhe shfaqja “Kultis” në regji  të Zana Hoxhës si dhe perforamanca multimediale “Shosha”, realizim i goditur i regjisorë se re, Erëmira Çitaku. Po aq interesante ishin, madje  disa ekspozita që u organizuan në këtë kuadër. Me mjaft interesim u ndoq edhe përurimi i librit “999 anekdota” të Sali Zogianit, mbi vlerat e shumëfishta të tij, folen njerëz kompetent për këtë lëmi, Mehemt Halimi, Zymer Neziri, Daut Demaku dhe Sulejman Dërmaku, ky i fundit duke qenë dhe redaktor i botimit të kësaj vepre, që sipas oratorëve, është e një rëndësie madhore, kapitale do të shtonim.

Duhet shtua se ky festival ishte i pasur edhe me programe muzikore, gjithnjë folklorike,  instrumentale. Si Etno Ansambli Bresanë nga Opoja, Etno Ansambli “Muharrem & Xevat Qena”, nga Romaja e Hasit e të tjer.  Në këtë rrafsh lanë mbresë interpretuesit Shaqir Hoti dhe Fatmir Makolli, me Etno instrumentet e tyre, pastaj këngët me lahutë interpretuar nga Isa

Muriqi etj.

Sado që fshati Kukaj, ku në pronën e Fadil Hysajt, mbahej ky manifestim atipik kulturor, ishte bukur larg, se atje mbërrihej me vështirësi e, gjithë kësaj i shtohej edhe klima paksa më ashpër në atë lartësi mbidetare, megjithatë, entuziastët dhe dashamirët e etnokulturës nuk i pengonte asgjë. Ata në masë të konsiderueshme ishin të pranishëm, disa prej të cilëve thanë se nuk do t’i ç’kapën këtij manifestimi, kur aq shumë ngjason në festivalin me nam, Lojërat Verore të Dubrovnikut. Në miniaturë, kuptohet      

                                               ———————  

Diçitua: Arjeta Dhima  në monodramën “Vdekja e një Mbretëreshe”