Debat në Prishtinë mbi krizën në Luginën e Preshevës (VIDEO)

“Lidhur me pjesën veriore, Qeveria e Kosovës duhet të angazhohet për një projekt për sigurimin e pozitës dhe të drejtave krejtësisht të njëjta të serbëve të veriut të Kosovës dhe shqiptarëve në tri komunat e Luginës së Preshevës”.

 

Prishtinë, 16 maj

Publicistë e analistë nga Kosova dhe Maqedonia, thanë sot në Prishtinë se konfliktet e papërfunduara në rajon, paraqesin shqetësime për sigurinë, por edhe funksionalizimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor. Këto komente u bënë gjatë një debati mbi zhvillimet e kohëve të fundit në Maqedoni, Luginën e Preshevës dhe në veriun e Kosovës, të organizuar nga Klubi për Politikë të Jashtme.

Rajoni i Ballkanit mbetet i brishtë me shtete që nuk e kanë përfunduar shtet-ndërtimin dhe me konflikte ende të papërmbyllura, u tha të mërkurën në një debat të organizuar nga Klubi për Politikë të Jashtme në Prishtinë. Aty u debatua në lidhje me zhvillimet në Maqedoni, në veri të Kosovës dhe Luginë të Preshevës.

Duke u ndërlidhur me zhvillimet dhe tensionet në rritje në Maqedoni, publicisti Kim Mehmet tha se shqiptarët e Maqedonisë, si popull i dytë për kah numri në këtë shtet, nuk po kërkojnë “pranverën arabe” në Maqedoni, por mes tjerash po revoltohen ndaj partive politike që kanë krijuar rrethanat për një gjendje të tillë.

Azem Vllasi, ka analizuar kryesisht ndërlidhjen dhe efektet e zhvillimeve në veri të Kosovës dhe në Luginë të Preshevës.

“Veriu dhe Lugina e Preshevës duhet trajtuar mbi parimet kushtetuese për garantimin e të drejtave të pakicave në të dyja shteteve”, tha Vllasi, transmeton Radio Evropa e Lirë, duke ka kundërshtuar hapjen e një dialogu të veçantë vetëm për veriun.

“Lidhur me pjesën veriore, Qeveria e Kosovës duhet të angazhohet për një projekt për sigurimin e pozitës dhe të drejtave krejtësisht të njëjta të serbëve të veriut të Kosovës dhe shqiptarëve në tri komunat e Luginës së Preshevës”.

Një analizë politike zhvillimeve në Maqedoni, Kosovë e Serbi u ka bërë edhe analisti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, Naim Rashiti. Ai tha se Serbia dizajnon në vazhdimësi projekte politike kundër funksionimit dhe funksionalizimit të shtetit të Kosovës. Rashiti ka parashikuar që Qeveria e re ne Beograd do të lansojë edhe më hapur çështjen e ndarjes së Kosovës, duke aluduar në pjesën veriore.

“Veriu i Kosovës, Lugina e Preshevës dhe Maqedonia janë tri kontekste politike jo shumë të ndërlidhura sa trumbetohet në opinion. Sidomos konteksti i Maqedonisë është çështje kryesisht më vete dhe nga jashtë do të prekej vetëm në një rast të një konflikti serioz rajonal. Por, ky konflikt ka pak gjasa të ndodhë në këtë periudhë apo në vitet në vijim”, është shprehur Rashiti.

Kryetari i Bordit të Klubit për Politikë të Jashtme, Veton Surroi, tha se rajoni ka ende konflikte të hapura që qojnë në rritje tendencat për territorializimin etnik në Ballkan.

“Kemi tri pako territorializimesh – është Republika serbe në Bosnje, është veriu i Kosovës, dhe potencialisht pjesa shqiptare e Maqedonisë. Veriu i Kosovës në fakt e mbanë peng Maqedoninë, nëse mund të quhet ashtu, ndërsa Republika serbe në një formë e mban peng veriun e Kosovës”, ka thënë Surroi, i cili i ka vlerësuar si shumë shqetësuese edhe zhvillimet në Maqedoni, duke apostrofuar sidomos shtrembërimin e identitetit të popullit maqedonas dhe depërtimin e islamit politik te shqiptarët.

“Ashtu siç nuk është burimor Aleksandri i Madh dhe Greqia antike për identitetin maqedonas, ashtu nuk është selefizmi pjesë e identitetit shqiptar. Kjo duhet të preokupojë, brengosë shoqërinë maqedonase në tërësi”, ka vlerësuar Surroi.

Panelistët dhe diskutuesit e tjerë në këtë debat kanë tërhequr vërejtjen se përkundër tensioneve dhe konflikteve ende të papërfunduara dhe rrymave apo ideve për ndryshimin e kufijve në Ballkan, asnjë shtet në këtë rajon deri më tash nuk është krijuar pa bekimin e fuqive të mëdha. /Telegrafi/


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni