Në vijim të fushatës për zgjedhjet vendore të 8 majit, Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ishte të enjten pasdite në bashkinë e Sukthit, ku mori pjesë në tubimin e organizuar me banorët e kësaj zone.

Gjatë këtij tubimi me mbështetës e simpatizantë të Partisë Demokratike, qytetarë, të rinj e të reja, deputetë, si dhe përfaqësues të pushtetit lokal, kryeministri Berisha prezantoi kandidatin për kryetar bashkie të koalicionit “Aleanca për qytetarin, zotin Sherif Fortuzi.

Në përshëndetjen drejtuar banorëve, Kryeministri Berisha i falënderoi ata me mirënjohje për mbështetjen e madhe dhe të shkëlqyer që i kanë dëshmuar Partisë Demokratike në çdo kohë dhe në çdo rrethanë.

Kryeministri Berisha premtoi se së bashku me zotin Fortuzi në krye të bashkisë së Sukthit, me punë përkushtim dhe ndershmëri, Sukthi do të shndërrohet në një nga zonat më të zhvilluara të Shqipërisë, si një qytet turistik, industrial, i cili ecën i sigurtë drejt mëkëmbjes dhe standardeve më të mira evropiane.

Duke nderuar kujtimin e ish kryebashkiakut të Sukthit, Guiliem Hasani, i cili u nda nga jeta pak kohë më parë, kryeministri garantoi se me kandidatin Sherif Fortuzni do të shndërrohen në realitet të gjitha projektet që i ndjeri Guiliam Hasani kishte për qytetin e Sukthit.

Kryeministri Berisha tha se në 4 vitet që shkuan në bashkinë e Sukthit dhe në fshatrat e saj janë asfaltuara, ndërtuar dhe rindërtuar 25 km rrugë, duke garantuar se në 4 vitet që vijnë nuk do të ketë asnjë kilometër rrugë të paasfaltuar në këtë bashki.

Në fjalën e mbajtur, Kryeministri Berisha u shpreh: “Së pari, dëshiroj tu përshëndes vëllazërisht dhe me shumë mirënjohje dua tu falënderoj unë ju, banorë të kësaj Bashkie për mbështetjen e madhe të shkëlqyer që ju i keni dëshmuar partisë demokratike ne çdo kohë në çdo rrethanë.

Unë gjithashtu kam ardhur tek ju për të paraqitur përpara jush, kandidatin për kryetar bashkie të Sukthit, Sherif Fortuzi, birin tuaj të shquar që me dashuri, përkushtim, me ndershmëri do të shndërrojmë së bashku Sukthin në një nga zonat më të zhvilluara të Shqipërisë, në Sukthin turistik, Sukthin industrial, në Sukthin e prodhimeve bujqësore, në Sukthin që ecën i sigurte drejt mëkëmbjes, drejt standardeve më të mira evropiane.

Duke u përulur me nderimit të veçantë para kujtimit të mikut tonë të nderuar, ish kryetari të bashkisë, Guiliam Hasani, ju garantoj se me Sherifin do të shndërrojmë në realitet ëndrrën tuaj për Sukthin modern, do të shndërrojmë në realitet të gjitha projektet që i ndjeri Guiliam Hasani për qytetin tuaj.

4 vitet që shkuan në këtë bashki dhe ne fshatrat e kësaj bashkie ne kemi asfaltuar, ndërtuar dhe rindërtuar 25 km rrugë. Ju garantoj se në 4 vitet që vijnë nuk do të ketë asnjë km rrugë të paasfaltuar në këtë bashki.

Në bashkinë tuaj ne kemi ndërtuar një shkollë 9 vjeçare. Do të ndërtojmë dhe do të rindërtojmë çdo shkollë , në mënyrë që bashkia të ketë shkollat më moderne që meriton.

Kemi ndërtuar ujësjellësa, por ju garantoj se gjatë 4 viteve që vijnë do të ndërtojmë ujësjellës në çdo fshat për ujë 24 orë për banorët e bashkisë suaj. Do të finalizojmë sistemin e kanalizimeve, do të legalizojmë fshatin Hidrovor dhe do të zhvillojmë zonat më të fuqishme turistike të rajonit. Sukthi turistik është motoja e 4 viteve që vijnë

Qeveria ka subvencionuar në rrethin e Durrësit 650 ha sera, ulishte dhe drurë të tjerë frutorë. Jam këtu për zotuar para jush se në 4 vitet që vijnë në këtë bashki, qeveria do të subvencionojë 5 mijë hektarë të tjera, ullishte, vreshta, drurë të tjerë frutorë, sera.

Kjo është alternative jonë, është alternativa e mundit tuaj, alternativa e djersës suaj, e përkushtimit tuaj, e mendjes e vizionit tuaj, e mëkëmbjes suaj, ecjes sonë të sigurtë drejt Evropës.

Krahas kësaj alternative është alternative tjetër e rrugës së vetme, e cila është rruga e sharjeve, rruga e shpifjeve, rruga e fyerjeve, rruga e mashtrimit. Do ti them këtu shokut Edi Rama se fyerjet, sharjet janë dëshmi e varfërisë ekstreme, e mungesës së projekteve, e mungesës së arritjeve. Kur nuk ke asgjë që tu tregosh qytetarëve që ke qeverisur 4 vitet e fundit, nuk të mbetet gjë tjetër vetëm të adresohesh tek kazanët e fjalorit dhe të përdorësh fjalët që përdor.

Por ne do të merremi me projektet tuaja , me shkollat tuaja, me kopshtet tuaja, me ujësjellësit tuaj, me turizmin tuaj, me rrugët tuaja, ne do të bëjmë gjithçka që këto 4 vite, Sukthi të jetë një vend i zhvilluar, Shqipëria të jetë një vend i zhvilluar.

Për ne të parët jeni ju, janë fëmijët tuaj, janë familjet tuaja, janë komunitet tuaja, janë qytetet dhe fshatrat tuaja, është Sukthi, është Durrësi është Shqipëria.

Duke përfunduar ju bëj thirrje të shndërrojmë këtë fushatë në fushatën e vlerave tona qytetare, fushatën e tolerancës, fushatën e dialogut, fushatën e mirëkuptimit dhe të shmangim çdo tensionim. Ne kemi projekte. Ne kemi arritje, ne kemi suksese, ne jemi të sigurtë në fitoren që na pret.

Fitorja e zgjedhjeve të 8 majit është një sukses i vërtetë për kandidatin tonë Sherif Fortuzi, por unë jam këtu për tu zotuar para jush se së bashku me Sherifin me këshillin bashkiak, këtë sukses të 8 majit do ta shndërrojmë në një sukses personal të secilit prej jush, pavarësisht nga bindjet politike, ju ftoj të gjithëve banorëve të kësaj bashkie të urdhëroni në shtëpinë tonë, në shtëpinë e alternativës për qytetarin. Aty ka vend për secilin prej jush. Aty është shtëpia ku ju më së miri do të gjeni të reflektuara, të nderuara, mundin tuaj, djersën tuaj, interesat tuaja, vizionin tuaj. 8 maji fitorja e Sherif Fortuzit është fitorja juaj”, tha kryeministri Sali Berisha.

SHPËRNDAJE