Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha zhvilloi sot, në kryeministri, me Unionin e Operatorëve Turistikë Shqiptarë, që operojnë në zonat malore, me të cilët shkëmbeu mendime mbi zhvillimin dhe problematikat e turizmit malor.

 

Kryeministri Berisha, pasi dëgjoi me vëmendje problematikën që operatorët turistikë parashtruan e që lidhej kryesisht me shtimin e kapaciteteve akomoduese, përmirësimin e furnizimit me energji dhe ujë, krijimit të lehtësirave për investitorët në këto zona, i siguroi ata se zhvillimi i turizmit malor është një përparësi dhe qeveria do të bëjë gjithçka për të nxitur zhvillimin e turizmit në këto zona, por edhe për të shfrytëzuar e kthyer në vlera të gjitha pasuritë që ato kanë.

 

Kryeministri tha se dy vitet e fundit, qeveria ka ndërmarrë përpjekje për ndërtimin e infrastrukturës, duke shkuar drejt të gjitha trevave, nga Çajupi, Tomorri, Prespa, Vithkuqi, Stërbleva, Gjinari, Korabi, Shishtaveci, Valbona, Thethi, Vermoshi. Krahas infrastrukturës, për të inkurajuar investimet në zonat malore, do të përjashtohen nga taksat për një periudhë 8 vjet të gjithë ata, që do të investojnë në zonat malore.

 

Kryeministri kërkoi nga operatorët turistike të ruajnë dhe zhvillojnë traditën. Gjithçka alpine, tha Kryeministri, është tërheqëse, e shijshme dhe e këndshme, ndaj ju duhet të përpiqeni ta ruani, zhvilloni dhe servirni. Shoh një perspektivë të shkëlqyer të alpeve, theksoi më tej Kryeministri, por duhet të përpiqemi të ruajmë edhe pyjet si parqe natyrore, të shfrytëzojmë çdo burim në mënyrën më racionale, të krijojmë vlera dhe të ardhura, duke sugjeruar të shihet mundësia e mbjelljes së boronicës dhe shtimit të sipërfaqeve me bimë mjekësore.

 

Një tjetër aspekt të rëndësishëm për zhvillimin e programuar të këtyre zonave, Kryeministri konsideroi përfshirjen e komunave malore në Masterplanet e Zhvillimit, që po kryhen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe PNUD.

 

Kryetari i Unionit të Operatorëve Turistikë Sadik Malaj falënderoi Kryeministrin për këtë takim dhe për trajtim e turizmit malor si përparësi. Malaj tha se përmirësimi i infrastrukturës dhe nismat e qeverisë kanë dhënë efekt në zhvillimin e këtyre zonave dhe të turizmit malor, si dhe kanë sjellë rritjen e vëmendjes të komunitetit lokal për zhvillimin e potencialeve të tyre, por edhe të interesit të qytetarëve dhe biznesit, drejt këtyre zonave.

 

Lidhur me këto çështje, Kryeministri Berisha më gjerësisht u shpreh: “Dua të shpreh vlerësimin tim për përpjekjet serioze që ju bëni për të bërë më të njohura potencialet e jashtëzakonshme turistike të 2/3-s së Shqipërisë, bukuritë magjepsëse të zonave kodrinore e malore të vendit. Ju siguroj se kam vlerësimin më të madh për këtë përpjekje fisnike që ju bëni, vetëdijen e plotë për vështirësitë jo të vogla, me të cilat ju përballeni dhe dhimbjen që ndjej se shqiptarët nuk i njohin pasuritë përrallore turistike që kanë në 2/3-t e vendit të tyre dhe nuk i njohin, sepse një nga shkaqet e thella të izolimit të brendshëm ishte edhe pamundësia. Por zhvillimi i këtyre zonave dhe zhvillimi i potencialeve turistike të tyre është kusht nga më kryesorët për të pasur një Shqipëri të zhvilluar, për të bërë që Shqipëria të jetë një vend i zhvilluar si vendet e tjera të zhvilluara të Evropës.

 

Ju jeni pionierë të këtyre përpjekjeve të mëdha. Qeveria po përpiqet, natyrisht, duke përparësuar në mënyrë të qëllimshme zonën bregdetare, por dy vitet e fundit, ka ndërmarrë përpjekje për ndërtimin e infrastrukturës nga Çajupi, Gjirokastër, gjer në Valbonë, Vermosh e kudo. Infrastruktura është një ndër elementet kryesore, por duhet që, krahas saj, të shtrihen edhe elemente thelbësorë të infrastrukturës siç është energjia elektrike, furnizimi me ujë. Unë e kuptoj që turizmi malor është shumëformësh dhe ka prej tyre që thonë të mos ndërtohen rrugë, pasi nuk na duhen, sidomos po të pyesësh alpinistët, të cilët duan shtigje dhe është normale kjo dëshirë e tyre, por neve na duhet masiviteti, që t’i bëjmë të gjitha potencialet e mëdha disponibël. E theksoj se jemi në fillim, nuk kemi progresin që duhet. Kjo është komplekse. Një element është ndërtimi i infrastrukturës dhe ky është kushti themelor, por, nga ana tjetër, është edhe potenciali investues. P.sh hoteli në Valbonë është i shkatërruar, pasi biznesmenët druhen të bëjnë investim aty dhe për një periudhë të shkurtër dhe kjo është normale. Ndaj ne do të heqim taksat në mënyrë që t’i lehtësojmë investimet. Ne do të përcaktojmë një periudhë 8 vjet pa taksa, për të gjithë ata që do të investojnë në zonat malore. Kjo shpresoj dhe besoj do t’ua rrisë kurajon investitorëve, për të ndërtuar në këto zona. Shumë shpejt do të kalojë projektligji për të krijuar zona pa asnjë taksë, për investimet turistike në zonat malore. Gradualisht investitorët do të fillojnë të ndërtojnë fillimisht fshatra turistikë e më pas hotele.

 

Ajo që është shumë pozitive është se interesi për të vizituar këto zona po rritet në mënyrë shumë të ndjeshme kudo, në Voskopojë, Dardhë, Valbonë, Theth, Lurë, drejt Vermoshit. Kudo ka një rritje të ndjeshme të vizitorëve. Unë e vlerësoj shumë përpjekjen tuaj, pasi do guxim e besim, sepse të realizosh një projekt duhet t’i besosh atij. Ne po përpiqemi e do të përpiqemi shumë t’i inkurajojmë investimet. Shumë nga këto zona i kemi përfshirë në studimin e masterplanit të tyre dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka përcaktuar një seri komunash malore në vend, në të cilat do të bëjë masterplanet e zhvillimit të tyre, që të zhvillohen në mënyrë të programuar.

 

Ne duhet ta ndryshojmë këtë situatë dhe jam i bindur për këtë. 99 për qind e të gjithë infrastrukturës së bregdetit ka përfunduar dhe kanë mbetur shumë pak kilometra rrugë të paasfaltuara që zbresin drejt detit. Po ecet drejt të gjitha trevave, drejt Çajupit, Tomorrit, Prespës, Vithkuqit, ku rrugët janë të përfunduara, Stërblevës, Gjinarit, Korabit, Shishtavecit, po punohet drejt Valbonës, megjithëse me shumë ngadalësi, por do të përpiqemi ta përshpejtojmë, ka filluar rruga drejt Vermoshit, do të përfundojmë segmentin Bogë-Theth. Ne do të bëjmë përpjekje edhe më të mëdha që pushuesit që vijnë t’i kalojnë më këndshëm pushimet e tyre.”

SHPËRNDAJE