Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka vizituar sot Kavajën, në një datë të shënuar për këtë qytet, por dhe për mbarë vendin, qytet i cili 20 vjet më parë u shndërrua në kryeqytetin e lëvizjes së demokracisë shqiptare.

Me rastin e 26 marsit, Demonstratës së Parë Antikomuniste në Shqipëri, Ditës së Kavajës, Kryeministri Berisha zhvilloi homazhe dhe vendosi kurorë në Memorialin 26 Marsi, në bustin e dëshmorit të demokracisë Josif Budo dhe të dëshmorit të atdheut Indrit Cara.

Në fjalën e mbajtur para qytetarëve, kryeministri Berisha shprehu nderimin më të thellë për dëshmorin e atdheut Indrit Cara dhe dëshmorin e demokracisë Josif Buda, që siç tha ai, skuqi me gjakun e tij të ri, flijoi jetën, për lirinë e çdo shqiptari.

20 vjet më parë, tha kryeministri, ishit ju qytetarët dhe qytetaret e Kavajës që çliruat të parët qytetin tuaj nga diktatura hoxhiste dhe e shndërruat atë në një kështjellë të pamposhtur të demokracisë shqiptare 20 vite më radhë.

“Sot ne nderojmë martirët e Kavajës, në prag të një ngjarje të madhe, të një fushate te re elektorale të zgjedhjeve te 8 majit. Josif Buda, djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë e Kavajës që 20 vjet më parë u përballën dhemb për dhëmb me diktaturën më mizore në Evropë, kishin një ideal dhe ky ishte ideali i votës së lirë. Ata ishin dhe janë sot të vendosur të nderojnë Kavajën, të nderojnë Shqipërinë me votën dhe vullnetin e tyre të lirë. Ndaj dhe ju ftoj ju, ftoj mbarë qytetarët shqiptarë të shkojnë drejt këtyre zgjedhjeve si qytetarë evropianë”, u shpreh kryeministri.

Kjo fushatë, tha kryeministri, është për qytetarin, për hallet dhe dertet, për rrugët për shkollat për tregjet për kopshtet, për kanalizimet, për rrugicat, për ullinjtë, për fermat, për pensionet dhe rrogat, për lëvizjen e lirë. Kurse fushata tjetër është fushata e karriges dhe vetëm e karriges. Ndaj dhe ne, u shpreh ai, me vullnet me të gjithë përkushtimin tonë, të zhvillojmë fushatën e qytetarit, të hartojmë sëbashku projektin më madhështor që kemi hartuar ndonjëherë për Kavajën, për Durrësin, Rrogozhinën dhe për mbarë Shqipërinë.

“Ta shndërrojmë këtë fushatë në fushatën e dialogut, të debatit e bisedimit. Të hartojmë së bashku mijëra projekte për të ndryshuar që të gjithë jetën tuaj, jetën e qytetarëve shqiptarë kudo që jetojnë në të katër anët e këtij vendi”, tha kryeministri Berisha.

SHPËRNDAJE