Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) u takua mbrëmë me banorët e Shipkovicës dhe Kërçovës. Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti tha se gjendja shqiptarëve gjatë periudhës që BDI ka qenë në qeveri është përmirësuar.

Ahmeti përmendi përdorimin e gjuhës në institucionet shtetërore, ekzistimi i dy universiteteve dhe ngritjen e klinikës universitare në Tetovë. Po ashtu, kreu i BDI-së përmendi gjithashtu edhe nevojën për integrim më të shpejtë në NATO dhe BE, sepse kjo është rruga e vetme për Maqedoninë.

“Sot kombi shqiptar po bëhet shtet formues në Maqedoni. Shqiptarët janë zot në shtëpitë e tyre, ata po bëhen zot për të ardhmen e tyre. Të nderuara nëna, gjuha që ju na mësuat është zyrtare në Parlamentin e Maqedonisë, gjuha që ju na përkundët në djep po përdoret në Universitetet kudo që jetojnë shqiptarë. Përpara nesh shtrohen detyra edhe më të rëndësishme. Ne jemi njerëzit e guximit dhe besimit, njerëzit që nuk dimë të kthehemi pas. Ne përpiqemi për një jetë më të mirë, për ekonomi më të mirë, ne përpiqemi që të rinjtë tanë, të ardhmen e tyre ta shohin në vendet ku i kanë lindur nënat e tyre”, tha Ahmeti.

SHPËRNDAJE