Nga Petrit Rudi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka kohë që ka nisur “fushatën” e tij elektorale, edhe pse zgjedhjet nacionale janë të parapara që të mbahen në vitin 2018. Të zhurmshëm kundër Qeverisë dhe kryeministrit Mustafa janë shumë deputetë të PDK-së, të cilët pothuajse në çdo dalje publike të tyre kërkojnë që vendi të shkoj në zgjedhje të parakohshme, kërkesë kjo e kamotshme edhe e opozitës.

“Nuk është fundi i botës nëse nesër del një opsion me marrëveshje politike në mes të kampit të pozitës dhe opozitës që të shkohet në zgjedhje dhe të kemi normalitet”, kishte deklaruar kohë më parë Kadri Veseli, ish shef i SHIK-ut që synon kaherë postin e kryeministrit.

Një gjë të tillë e kishte konfirmuar për gazetën “Bota sot”, edhe deputeti i kësaj partie, Bislim Zogaj, ku e kishte bërë të  qartë Veseli do të jetë kandidat për Kryeministër nga PDK-ja. “Sikur çdo parti që ka kandidatin e vet për kryeministër, sigurisht edhe Partia Demokratike e ka kandidatin e vet, normalisht kur do të ketë zgjedhje, atëherë zotëri Veseli do të jetë kandidati i PDK-së, edhe pse ende në instancat e Partisë ende nuk është diskutuar, por besoj që një gjë e tillë është e qartë dhe kandidati i vetëm për kryeministër nga PDK do të jetë ai”, kishte deklaruar deputeti Zogaj.

Sinjale për zgjedhje ai ka dhënë edhe gjatë ditës së djeshme, ku Veseli ka paralajmëruar një tur në mbarë vendin me ekspertë, që sipas Veselit ka të bëjë për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve në Kosovë.

Por, vizita e fundit në Kosovë e Zëvendësndihmëssekretarit amerikan, Hoyt Brian Yee, konfirmoi se zgjedhjet nuk janë tani për tani opsion në Kosovë, e ku porositë tij ishin të qarta, Kosova ka shumë sfida përpara, Demarkacioni, Gjykata Speciale e formimi i Ushtrisë, procese këto që Kosova duhet t’i tejkaloi.

Zëvendësndihmëssekretari amerikan i shtetit, në intervistën e dhënë për Radio Televizionin e Kosovës, kishe thënë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk janë opsioni i duhur dhe se institucionet e Kosovës duhet ta respektojnë afatin ligjor për mbajtjen e tyre. Kjo deklaratë është një sinjal dhe një goditje për kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin, i cili përmes zgjedhjeve të jashtëzakonshme synon që të marr postin e kryeministrit.

Po ashtu, një nga temat që Hoyt Brian Yee kishte diskutuar ishte edhe Gjykata Speciale.

Ishte Milaim Zeka, ai i cili e konfirmon një gjë të tillë, ku sipas tij zyrtari amerikan ka thënë se Gjykata Speciale nuk duhet t’i zë të pa përgatitur.

“Kadri Veselit i tha se zgjedhjet nuk mbahen kete vit, pasiqe, edhe mu mbajet, zgjedhjet nuk do te ofrojne zgjidhje. Foli edhe per demarkacionin, ngapak si nder hunde, ka fole edhe per Gjykaten Speciale, qe mos mi nxane te papergaditur”.

Kujtojmë se akuzat nga Gjykata Speciale janë paralajmëruar që të ngritën gjatë këtij muaji, apo eventualisht në maj, dhe se Gjykata Speciale ka konfirmuar se askush nuk do të këtë imunitet ndaj këtyre akuzave.

“Siç ka thënë Prokurori Specialist në të kaluarën, askush nuk është mbi ligjin. Nuk ka imunitet për krimet që ligji i veçantë i jep kompetencë Dhomave Specialiste dhe zyrës së prokurorit specialist  për të hetuar dhe ndjekur penalisht.  Përtej kësaj, siç ka thënë më parë Prokurori Special, zyra nuk komenton mbi atë se kush, çfarë, ose kur si ajo ka të bëjë me punën e tij”, kishte thënë Joseph L. Hollerhead, asistent ekzekutiv në Gjykatën Speciale dhe zëvendës i Prokurorit Special, për gazetën “Bota sot”.

Ndërsa, kujtojmë se Kadri Veseli, ka qenë udhëheqës i Shërbimit SHIK, shërbim ky i akuzuar për vrasjet politike që kishin ndodhur në Kosovë.

E një gjë të tillë e kishte bërë edhe deputetja e LDK-së, Besa Gaxheri, e cila kishte thënë se SHIK-u i ka vra.

“S’ju bashkuam nismës së VV-së për hetim të SHIK-ut, pasi që VV-ja është satelit i PDK-së. SHIK-u na ka vra. Kadri Veseli duhet të jetë më serioz kur i përmend zgjedhjet”, kishte deklaruar  Gaxherri në njërën ndër intervistat e saj televizive, duke shtuar, se Veseli ka përgjegjësi politike dhe s’duhet t’i shqetësojë qytetarët.

SHPËRNDAJE