zbbbOrganizata Botërore e Shëndetësisë me seli në Gjenevë të Zvicrës, muajin që shkoi e ka shpallur si aksion ndërkombëtar të luftës kudër kancerit të gjirit.

Duke parë rritjen e prekshmërisë nga kjo sëmundje kjo organizatë ka apeluar tek të gjitha vendet e botës  zbatimin e masave shtesë, në mënyrë që me diagnostikim sa më të hershëm të pengohet zhvillimi i akceseve të reja të kësaj sëmundjeje.

Kësaj thirrje i janë përgjigjur edhe institucione e organizata shëndetësore të Republikës së Kosovës.

Ato nëpërmjet ekspertëve të fushës së onkologjisë në nëntë komuna të vendit,kanë mbajtur ligjërata,duke dhënë këshilla dhe sugjerime mbi preventivat që duhet ndërmarrë çdo femër sidomos ato të grup-moshave  dyzetepesë – pesëdhjetë vjeçe .

Gjatë kësaj fushate të gjerë ndërgjegjësimi pranë njësiteve të mamografisë janë bërë rreth 2050 vizita falas me qëllim të parandalimit të kësaj sëmundje shqetësuese e cila në gjithë botën konsiderohet si vrasësi kryesor i femrave.

Sipas statistikave që posedon Instituti Onkologjik i Kosovës dhe Organizata Joqeveritare “Jeta-Vita” në Kosovë, më 2015 me kancer janë identifikuar 920 veta.

Nga ky numër 210 veta janë diagnostikuar me kancer të gjirit. Ndërkaq në nëntëmujorin e parë të vitit të sivjetmë  janë shënuar edhe 250 raste të reja.

Duke parë gjendjen alarmuese dhe koston tepër të kushtueshme të trajtimit të kësaj sëmundje si dhe mundësitë e kufizuara për terapinë bazë të nënave dhe motrave tona, poetja dhe veprimtarja e dalluar Nerxhivane Ferati-Sejdiu,ka filluar këto ditë në Gjenevë të Zvicrës,  aksionin “Një paruke si mbështetje morale për gratë e Kosovës,të prekura me kancerin e gjirit”

Zonja Ferati-Sejdiu thotë: “Ideja për këtë projekt më ka lindur para dy- tre muajve ,ngase gjatë verës derisa isha me pushime në vendlindje pashë gra tullace si pasojë e kimioterapisë dhe gjendja e tyre vërtetë më rëndojë tepër emocionalisht”.

Andaj me padurim prisja rastin që të filloj me këtë aksion të domosdoshëm.

Shpresoj se do të kemi edhe përkrahjen e njerëzve e sidomos të grave dhe vajzave bamirëse të Gjenevës.

Pastaj në kontakt me zonjën Nafije Latifi , udhëheqëse e Qendrës Joqeveritare “Jeta-Vita” në Kosovë,këto paruke do të shpërndahen tek gratë në nevojë.

Të gjithë jemi të vetëdijshëm që kjo ndihmë është simbolike sepse kjo sëmundje me fatalitet kërkon kujdes të përpiktë, kuadro të specializuara , aparaturë moderne, dhe terapi të shtrenjtë.

Mirëpo çfarëdo përkrahje qoftë ajo në këto momente të vështira merret si një veprim emancipues i shoqërisë sonë.

Zonja Ferati-Sejdiu,thërret  të gjitha gratë dhe vajzat e Kosovës integriteti i të cilave është vënë në provë në asnjë çast mos ta ndjejnë veten të braktisura, sepse pranë tyre me ngrohtësinë më të madhe do të qëndrojmë ne motrat  e tyre mërgimtare.

Ata të cilët duan të përkrahin këtë aksion mund të kontaktojnë drejtpërdrejt me nismëtaren e kësaj iniciative zonjën Nerxhivane Ferati-Sejdiu , në numër celulari :  0763471328 ose nëpërmjet postës elektronike në adresën: [email protected].

SHPËRNDAJE