Bujanoc, 24 gusht – Zjarret që kanë përfshirë nga flakët zona të ndryshme të Ballkanit, për më se një muaj, ditë më parë ka kapluar edhe rajonin e Luginës së Preshevës, e veçmas një shqetësim të kaplimit të zjarreve e kanë ndjerë edhe popullata e brezit kufitar Kosovë-Serbi.
Stina e verës në këtë vit, që mbizotëroi me një klimë tropikale ku janë shënuar edhe temperature të larta, disa herë edhe mbi 40 gradë celsius, si dhe përfshirja e rajonit të Luginës nga flakët e zjarreve ka shqetësuar në masë të madhe qytetarët e rajonit, duke i rrezikuar edhe vendbanimet e tyre, veçmas të brezit kufitar.
Flakët e zjarrit kanë rrezikuar edhe bazën ushtarake serbe afër Bujanocit. Sipas mediave serbe zjarri në malet e Dobrosinit, në juglindje të Bujanocit, ka arritur afër bazës ushtarake të Ushtrisë serbe dhe ka përfshirë terrenin malor në të cilin ka bomba kashtore, por ushtria, banorët lokalë dhe pasuria janë të mbrojtura, kanë deklaruar përgjegjësit e bazës në Dobrosin.
Mirëpo, falë intervenimit të zjarrfikësve, thuhet se zjarri është vënë nën kontroll. Në fshatin Dobrosin, i cili gjendet pikërisht në kufirin me Kosovën, jetojnë rreth 150 familje me 740 banorë. Sipas komandantit të njësisë rajonale të zjarrfikësve, zjarri është përhapur të mërkurën pasdreke.
Zjarri ka rrezikuar edhe fshatin Raincë, të komunës së Preshevës, mirëpo zjarri është vënë nën kontroll dhe ka paraqitur rrezik për këtë fshat. Në Raincë jetojnë rreth 2 000 banorë shqiptarë.
Flaka e zjarreve pati përfshirë vijën e brezit kufitar Kosovë-Serbi, ku qenë përfshirë nga flakët fshati; Kokaj, Bilinicë, Dobrosin, Stublinë dhe Muçibabë. Zjarret e furishme që kanë përfshirë rajonin kanë dëmtuar rëndë sipërfaqe të mëdha me pyje, që konsiderohet një nga burimet më të rëndësishme natyrore dhe ekonomike të vendit.
Metali Krasniqi
SHPËRNDAJE