(AIK-Presheva Jonë)

 

Policia e Kosovës ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme policore për zgjedhjet e jashtëzakonshme të përgjithshme, të cilat mbahen të dielën.

Përmes një njoftimi për media bëhet e ditur se Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës kohë më parë ka hartuar një urdhër Operativ dhe në këtë kuadër janë përgatitur dhe harmonizuar planet e të gjitha Drejtorive Rajonale të Polcisë, lidhur me mbështetjen e procesit zgjedhor nga aspekti i sigurisë gjatë dhe pas operacionit në fjalë.

“Qëllimi i këtij plani operacional është që të krijojë një klimë të qetë dhe të sigurt për të gjithë elektoratin dhe të gjithë qytetarët e Kosovës, pastaj mirëmbajtjen e rendit, qetësisë publike dhe situatës së sigurisë në vend para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve”, thuhet në njoftim.

Në këtë drejtim është paraparë gjithashtu që të sigurohen të gjitha depot komunale dhe Qendrës se Numërimit si dhe përcjelljes së sigurt të materialit zgjedhor nga të gjitha destinacionet e parapara.

Policia e Kosovës do të jetë përgjegjëse për mbarëvajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike e mbështetur nga EULEX-i dhe KFOR-i, nëse Policia e Kosovës vlerëson se ka nevojë për një gjë të tillë.

Lidhur me zgjedhjet e përgjithshme të datës, Policia e Kosovës ka angazhuar numër të konsiderueshëm të zyrtarëve policor duke filluar nga njësit patrulluese, njësit hetimore e deri të njësit e specializuara me qëllim të ofrimit dhe mbështetjes së këtij procesi zgjedhor.

Sipas Komisionit Qendror Zgjedhor, në ditën e diel do të hapen 746 Qendra të votimit, me 2280 vendvotime, andaj për të ofruar siguri gjatë procesit zgjedhor Policia e Kosovës ka paraparë të angazhoj rreth gjashtë mijë 6 mijë zyrtarë policor në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

SHPËRNDAJE