Lëvizja Vetëvendosje deklaroi të mërkurën se nuk është demokraci që EULEX-i të ftohet pa u pyetur Kuvendi, pasi sipas tyre është Kuvendi i Republikës së Kosovës që duhet ta diskutojë çështjen nëse është apo nuk është i nevojshëm ende misioni i EULEX-it.

Në një konferencë për media, Vetëvendosje deklaroi se 2014-ta nuk është fundi i mandatit të EULEX-it.

Sipas tyre, Qeveria dhe Presidenca janë vënë në sikletin e akomodimit të mandatit të EULEX-it pas kësaj që po quhet përmbyllja e mbikëqyrjes së pavarësisë, ndërkaq sipas tyre, deri tash baroneshës Ashton i kanë shkuar dy letra për këtë gjë – një letër nga Qeveria në emër të Hajredin Kuçit, një tjetër nga Presidentja Jahjaga.

“Presidentja në letrën e saj e falënderon EULEX-in për ‘stabilitetin dhe prosperitetin e Kosovës’. Nëse ka një përgjegjës ndërkombëtar pse veriu i Kosovës mbetet i ndarë, ky është EULEX-i. Veriu i ndarë i Kosovës në të cilin qeverisin strukturat e paligjshme të Serbisë është potenciali kryesor destabilizues në Kosovë. EULEX-i nuk ka kontribuar aspak që ky faktor destabilizues të mënjanohet”, thuhet në kumtesë.

Sipas VV-së, EULEX-i jo vetëm që nuk do të ndihmojë të integrohet veriu, por mund të jetë faktori pengues kryesor ndërkombëtar për shtrirjen e sovranitetit të Kosovës atje, sepse vetë EULEX-i për ta shtrirë praninë e tij edhe në veri, u detyrua të bënte marrëveshje të veçantë me Beogradin.

Vetëvendosje më tej pohon se Jahjaga po e thërret një EULEX që është neutral ndaj statusit të Kosovës dhe në këtë mënyrë e ka shkelë Kushtetutën.

“15 qershori 2014 nuk është afati përfundimtar i mandatit të EULEX-it në Kosovë sepse presidentja këtë gjë ia ka lënë në mëshirë ‘vlerësimit të përbashkët’. Kjo do të thotë që nëse faktorët ndërkombëtarë nuk pajtohen me përfundimin e mandatit të EULEX-it në Kosovë, atëherë kjo nënkupton që ky mandate vazhdon. Përveç kësaj, letra thotë që 15 qershori 2014 do të ishte ‘kohë e pritshme’ për përfundimin e mandatit, jo kohë e sigurt”, vlerëson VV.

Sipas tyre, presidentja thërret për një Kosovë “shumetnike, demokratike dhe të begatshme”, por jo “sovrane”.

Ndërkaq,duke iu referuar një letre të zëvendëskryeministrit Kuçi dërguar baroneshës Ashton, VV thekson se Qeveria në Kosovën e pavarur po sillet njësoj sikurse në kohën e UNMIK-ut dhe të IPVQ-ve.

Sipas Vetëvendosjes, në fund të letrës së Kuçit thuhet se “Qeveria e Kosovës mban qëndrimin se ndonëse do të jepet kohë shtesë për mandatin ekzekutiv të EULEX-it rreth çështjeve të veriut dhe gjykimit të krimeve të luftës, kompetencat e EULEX-it edhe për këto dy fusha duhet të pushojnë jo më vonë se më 31 dhjetor 2015”.

“Kështu, Qeveria po i propozon EULEX-it që të jetë i veçantë për çështjet e veriut, duke e trajtuar veriun ndaras. Në të vërtetë, ky është propozim që t’i kemi dy EULEX-a”, thuhet në kumtesën e Vetëvendosjes. /Telegrafi/

SHPËRNDAJE