Personalitete të jetës publike, personalitete të letrave e studentë ishin mbledhur dje për ta nderuar Adem Demaçin, ose bacën Adem, siç e quajnë sot pothuajse të gjithë. “Krijimtaria letrare dhe politike e Adem Demaçit” qe manifestimi kulturor e artistik i cili u mbajt të premten në Prishtinë në nder të figurës së veprimtarit të shquar politik e kombëtar.

Në hapjen e këtij manifestimi, poeti e publicisti Agim Vinca e quajti Demaçin “Baca i Republikave të letrave”, në shenjë vlerësimi për kontributin politik dhe letrar, dhe si një hero i hershëm i Kosovës.

“Ai ishte Baca i Republikave të letrave, një veprimtar i shquar politik . Ai ishte një armik i shtetit të atëhershëm, sepse kishte një ëndërr, e ajo ishte çlirimi i Kosovës dhe bashkimi i saj me Shqipërinë. I kishte 22 vjet kur botoi romanin “Gjarpërinjtë e gjakut”, për të cilin u dënua me 28 vjet burg nga sistemi i atëhershëm titist e disa lakenj politikë shqiptarë, të cilët shpresonin se me burgosjen e tij ai nuk paraqiste më rrezik. Por, Adem Demaçi ishte i pathyeshëm”.

Me këto epitete poeti Vinca fliste për Demaçin, duke shtuar se ai është një fenomen origjinal i letërsisë shqipe, dhe se historia më e re shqiptare do të njohë atë si kryengritësin më të hershëm dhe më konsekuent.

Agim Vinca, i cili gjatë gjithë fjalimit të tij nuk i kurseu lëvdatat, shtoi se meritat e Adem Demaçit qëndrojnë në përpjekjet e hershme për emancipimin e popullit shqiptar dhe ngritjen e vetëdijes për falje të gjaqeve, të cilën ide e ruan dhe e shtron me romanin “Gjarpërinjtë e gjakut”.

“Ai ishte një njeri largpamës i prozës shqipe, ai ishte edhe dora e pajtimit të gjaqeve dhe pjesë e ndërgjegjes së popullit shqiptar. Më vonë, kur filluan pajtimet e gjaqeve si ato te Verrat e Llukës, e tërë kjo ishte meritë e bacës Adem, i cili kishte hedhur farat më herët dhe tash po i korrnin të tjerët. Tani edhe në pleqëri ai ka ide dhe vizion. Vizioni i tij ishte ideja për liri dhe emancipim të popullit të tij”, shtoi ai.

Por, për vetë Demaçin, salla e Universitetit AAB që ishte e mbushur me studentë, ndoshta e bëri edhe atë ta quajë veten student të përjetshëm.

“Po ju drejtohem ju studentë të nderuar, sepse edhe unë mbeta student tërë jetën time. Meritat të cilat po m’i përmendin nuk janë vetëm të miat, por ato janë të popullit. Janë meritë e një përpjekjeje të një shpirti liridashës, i cili e ka mbajtur këtë frymë të gjallë. Ne shqiptarët ishim më demokratët në Ballkan, për atë ne e kemi edhe territorin të rrudhur në shumë pjesë, të cilat na i copëtuan pa të drejtë”, tha Demaçi në fjalimin e tij.

Demaçi në diskursin e tij as kësaj here nuk mundi ta përjashtonte politikën dhe ngjarjet që janë aktuale.

“Edhe sot Serbia tenton që një pjesë të territorit të Kosovës ta ndajë dhe ta mbajë për vete, por e kanë gabim, se sot shqiptarët janë më të zgjuar se kurrë dhe ka ardhur koha që të ngrenë zërin. Populli i thjeshtë do të triumfojë, siç ka triumfuar në shumë dekada të historisë së saj. Ne nuk jemi një popull që lehtë zhdukemi, siç iu ka ndodhur disa popujve para nesh”, tha ai, duke u bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që të mos flenë e të entuziazmohemi, por të investojmë në jetë e në komb.

Në këtë manifestim foli edhe Hysen Matoshi, drejtor i Institutit Albanologjik, i cili para të pranishmëve tha se nëse diku do të duhej të merrej një model për qëndrueshmërinë e një individi, atëherë sytë do të duhej drejtuar kah Adem Demaçi.

“Adem Demaçi, ndryshe nga shkrimtarët dhe intelektualët e tjerë, nuk ankohet për mungesë fati. Ai është ideologu për krijimin e modelit të qëndrueshmërisë dhe e tërë veprimtaria e tij ka të bëjë me përqafimin e lirisë. Ai është një njeri racional ndaj zhvillimeve politike të cilat ndodhin në vend, është i rezervuar kur edhe proceset e ndryshme shkojnë mbarë, sepse e di se edhe ato shumë herë dinë të përkeqësohen”, tha ndër të tjera ai.(Zëri)

SHPËRNDAJE