Vlorë, 12 qershor –

Në pamundësi për të marrë në kohë rrogat e prapambetura, sulmuesi maqedonas i Flamurtarit të Vlorës, Aleksandër Bajevski ka gjetur një mënyrë tjetër për t’u shpaguar: dyshohet se lojtari ka marrë me vete orenditë e shtëpisë ku jetonte me qira. Pronari i shtëpisë, pasi ka pikasur ngjarjen, është ankuar menjëherë te drejtuesit e klubit. Lajmin e kanë konfirmuar ekskluzivisht për “Panorama” burime të sigurta pranë krerëve të Flamurtarit. Mësohet se këta të fundit nuk u kanë besuar syve, kur janë njoftuar se një futbollist i tyre ka arritur deri atje sa të vjedhë tapete, abazhurë, televizorin dhe shumë gjëra të tjera shtëpiake.

Në apartamentin e vënë në dispozicion nga klubi, Bajevski jetonte prej 8 muajsh, por drejtuesit e kanë zbuluar vjedhjen me vonesë. Për të konfirmuar gjithçka, një prej përfaqësuesve të klubit kontrolloi banesën, por u shtang kur pa që kishin mbetur pak orendi. Në fillim u mendua për një grabitje, duke parë se nga muri ishin shkulur abazhurët. Por, pas verifikimeve të bëra, klubi u bind plotësisht se kjo ishte një vepër e maqedonasit. Drejtuesit e klubit janë vënë para një dileme të madhe si të veprojnë me lojtarin: alternativa e parë është të padisin futbollistin maqedonas për vjedhje të sendeve të shtëpisë, të cilat kapin vlerën e 10 mijë eurove, kurse varianti i dytë është mosdhënia e rrogës së prapambetur për lojtarin. Mësohet se klubi i ka vendosur afat njëjavor Bajevskit për të kthyer sendet e marra në banesën ku jetonte.

Pas firmosjes së kontratës në verën e vitit të kaluar, drejtuesit e Flamurtarit menduan t’i krijonin kushte ideale Bajevskit. Ai qëndroi në Vlorë në një shtëpi luksoze. Presidenti Gjika i plotësoi të gjitha kërkesat dhe 31-vjeçari firmosi për 45 mijë euro në sezon. Tashmë që kampionati ka përfunduar, mësohet se Bajevskit klubi vlonjate i kishte mbetur borxh 5 mijë euro.

SHPËRNDAJE