Dardan Molliqaj, dikur shok i afërt i Albin Kurtit në Vetëvendosje, e ka quajtur atë “plastelinë” për shkak të vizitës së kryeministrit në shtëpinë e familjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova.
“Paradite paska shku te Rugova, renovimet e shtëpisë me ia pa, pasdite ia paska thanë kangës Mora Fjalë. Dje i fliste UÇK-së, pardje Jugosllavisë, dikur ilegales. Vota pushtet, Albini plastelinë”, ka shkruar kryetari i Partisë Socialdemokrate.
Dje gjatë ditës, Kurti ka njoftuar se ka vizituar rezidencën e familjes Rugova, shtëpi e njohur në Prishtinë ku kishte banuar edhe vet Rugova. Aktualisht aty po kryhen punime rinovuese që janë mbështetur nga ministria e kulturës, për shkak që objekti nuk ishte në gjendje të mirë dhe është në listën e monumenteve të mbrojtura me ligj.
Vizita shkaktoi reagime të shumta për shkak që Kurti kishte kritikuar ashpër Rugovën dhe politikën e tij në të kaluarën dhe vizita e tij shihet si lëvizje e pastër elektorale.