Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, zhvilluan sot një performancë para Qeverisë së Kosovës, duke shpërndarë afishe me premtimet e parealizuara nga Kryeministri Hashim Thaçi, Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi dhe zëvendëskryeministrja Edita Tahiri. Këta tre drejtues të institucioneve, aktivistët i kanë kandiduar për çmimin “Politikani më i besueshëm”. Aktivisti Frashër Krasniqi, sqaroi se kjo performancë ka për qëllim të tregoj se pushteti në Kosovë nuk është një pushtet i bazuar në të vërtetën, në sinqeritetin dhe në të mirën e përgjithshme të qytetarëve të Kosovës. “Neve na kujtohet shumë mirë si një ndër ministrat më të papërgjegjshëm të Kosovës, Bajram Rexhepi, i cili i fyen për çdo ditë qytetarët e Kosovës, madje edhe ata që janë në rrezik të çdo ditshëm. Ai ka deklaruar që në janar të vitit 2011 në Kosovë nuk do të lejohen më tabelat e regjistrimit të shtetit të Serbisë. Në të njëjtën mënyrë zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri na pat deklaruar që me 1 nëntor, do të shuhen strukturat paralele dhe ligji do të vlejë në tërë territorin e Kosovës. Ndërsa, kryemashtruesi i kësaj Qeverie, Hashim Thaçi ka kohë që i gënjen qytetarët e Kosovës, që prej një kohe të gjatë edhe prej Qeverisë Thaçi 1. Edhe në vitin 2008, Hashim Thaçi ka thënë se strukturat paralele do të shuhen. Në vitin 2008 Hashim Thaçi i ka premtuar qytetarëve të Kosovës që sovraniteti ose shteti i Kosovës është njëqind për qind sovran. Ndërkohë që ne, sot e asaj dite, e kemi një shtet ku në një pjesë të territorit nuk ka funksionalitet fare Qeveria e Kosovës”, ka thënë Krasniqi. Lëvizja Vetëvendosje, iu bënë thirrje qytetarëve të Kosovës që edhe pse po e përmbyllim një vit me politikanë të tillë, gënjeshtarë dhe mashtrues, të përpiqen që mos ta përmbyllin të ardhmen me politikanë të tillë. Lëvizja Vetëvendosje, afishet me premtimet e tre politikanëve – kandidat për çmimin “Politikani më i besueshëm”, i ka vendosur në të gjitha rrugët e Prishtinës, por edhe në të gjitha komunat e Kosovës.

SHPËRNDAJE