Rivendosja e dialogut politik në Shqipëri është një sinjal pozitiv për Parlamentin Evropian (BE). Brukseli është i gatshëm t’i ofrojë Shqipërisë një mundësi për të kompensuar shpejt kohën e humbur, por kjo do të arrihet vetëm nëse klasa politike në Shqipëri ofron rezultate konkrete të bashkëpunimit për reformat evropiane. Këtë vë në pah edhe zëvendëskryetari i grupit për Evropën Juglindore, Jelko Kacin.

“Përplasjet midis dy blloqeve kryesore politike në Shqipëri që e morën peng vendin për dy vjet, ishin kundra-produktive dhe nuk e ndihmuan aspak Shqipërinë. Liderët polikë duhet të jenë të kuptojnë, se përplasjet individuale dhe personale nuk e forcojnë kredibilitetin e tyre dhe dëmtojnë të ardhmen e Shqipërisë. Kur flasim për Shqipërinë, bëhet fjalë së pari për qytetarët e Shqipërisë, ndaj nevojitet më shumë prosperitet dhe konsolidim i dialogut politik”, u shpreh Kacin.

Po në këtë linjë, Kacin shtoi se “flamuri shqiptar është kuq e zi, por politikisht jo gjithçka është kuq e zi në Shqipëri. Duhen më tepër ngjyra. Ne duam një ngjyrë të gjelbër apo të verdhë, pra një ylber ngjyrash politike. Unë kam vendosur që të marr pjesë takimin e ardhshëm me palën shqiptare pasi dua të mbështes ata që mendojnë për të ardhmen e Shqipërisë dhe jo të hakmerrem për të shkuarën”.

Për Kacin kjo duket gati një mrekulli, por së bashku me shtete të tjera të rajonit, Shqipëria mund ta shohë veten më afër BE-së në qershor, nëse zbatohen 12 rekomandimet e KE-së.

“Kjo do të ishte gati një mrekulli. Mrekullitë ndodhin hera herës. Shpresoj që këtë radhë, do të shfaqen në Shqipëri. Dua ta besoj këtë, por më duhet të pres deri sa të shoh provën e fundit. Është e rëndësishme që Mali i Zi do të fillojë negociatat e anëtarësimit në korrik. Pastaj është Maqedonia që ka ngecur për 6 vjet dhe shpresoj që ata të lëvizin vitin tjetër për të gjetur një kompromis. Unë jam raportuesi i Serbisë dhe i mbështes ata. Po bëj gjithçka mundem, por kjo është pak a shumë si një lojë futbolli. Unë mund të jem entuziast, mund të jem shumë në favor, por është ekipi serb që duhet të shënojë golin. Ata duhet të japin rezultate”, vlerësoi Kacin.

Qershori i vitit të ardhshëm mund të sjellë një avancim të konsiderueshëm për politikën e zgjerimit të BE dhe vendet aspirante.

SHPËRNDAJE