Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës sot kanë nënshkruar marrëveshjen për koalicion në Komunën e Prishtinës. Pas këtij koalicioni, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës do t’i takojë Drejtoria e Shërbimeve Publike në këtë komunë
Kjo marrëveshje është arritur sot pas një takimi që kryetari Shpend Ahmeti pati me kryetarin e AAK-së Ramush Haradinaj në kabinetin e tij.
Përveç kësaj kryetari Ahmeti do të vazhdojë përpjekjet që në javët në vazhdim të lidh marrëveshje edhe me subjektet e tjera politike të Kuvendin Komunal, deri në krijimin e shumicës së nevojshme për zhbllokimin e punës së Kuvendit Komunal të Prishtinës.
Kryetari Ahmeti, pas takimit tha se pas disa javësh diskutim, sot është finalizuar marrëveshja e koalicionit me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës për Komunën e Prishtinës.
Ai bëri të ditur se diskutimet kanë filluar edhe me subjekte të tjera, për të krijuar shumicën e nevojshme për të zhbllokuar punën e Kuvendit Komunal të Prishtinës.
Ahmeti: Sot formalizojmë koalicionin me AAK në Komunën e Prishtinës
“Pa s takimit që kemi pasur me kryetarin e Aleancës sot njoftojmë se kemi formalizuar marrëveshjen për Koalicion në Komunën e Prishtinës me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, pas diskutimeve disa javësh që i kemi pasur…Për ta formalizuar këtë marrëveshje kemi filluar diskutimet qe disa javë, jo vetëm me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës por edhe me subjektet tjera në Kuvendin Komunal për ta krijuar shumicën e nevojshme për të zhbllokuar punën e Kuvendit Komunal. Prandaj filluam me subjektin të cilin e kemi pasur bashkëpunimin më të mirë, më të sinqertë, në mënyrë që ta formalizojmë këtë bashkëpunim”, tha Ahmeti.
Pas këtij koalicioni, AAK do të udhëheq Drejtorinë e Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës. Këtë e bëri të ditur kryetari Ahmeti, i cili tha se gjatë kësaj kohe do të bëjnë ristrukturimin komplet të drejtorive të reja në komunën e Prishtinës.
Ahmeti: AAK në krye të Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Prishtinë
“Ajo do të jetë Drejtoria e Shërbimeve Publike, të cilën deri më sot e ka udhëhequr nënkryetari Dardan Sejdiu, meqë rast nënkryetari Sejdiu do të fokusohet në punën e tij si nënkryetar ndërsa kalimin në Drejtorinë e Shërbimeve Publike do ta bëjmë gjatë dy javëve të ardhshme. Gjatë kësaj kohe ne do të bëjmë edhe ristrukturimin komplet të drejtorive të reja. Pra këtë javë do të dihen të gjithë emrat e të gjitha drejtorive të reja, përfshirë edhe ata të cilët janë Drejtori të reja nga Lëvizja Vetëvendosje, pra që do t’ i caktojmë dhe të subjekteve të tjera të cilat planifikojmë që t’i bëjmë publike ditët në vazhdim”, tha Ahmeti.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se që nga fitorja e Ahmetit në kryeqytet, si subjekt janë përkushtuar t’i japin atij përkrah je të vazhdueshme dhe të pakusht.
Ai tha se kryeqyteti po përballet me shumë sfida, por AAK është e gatshme për një partneritet në shërbim të qytetarëve të Prishtinës.
Haradinaj: Do të jemi në shërbim të qytetarëve të Prishtinës
Kisha nderin të finalizoj një marrëveshje për qeverisje në kryeqytet, por është me rëndësi të themi se Aleanca ka marrë vendim politik me fitoren e kryetarit Shpend Ahmeti në Prishtinë, që t’i japim përkrahje të vazhdueshme dhe pa kushte. Grupi parlamentar i Aleancës ka qenë në përkrahje të politikave qeverisëse të kryetarit deri më tani. Tani është e nevojshme krijimi i një shumice qeverisëse. Prishtina është sfidë qeverisëse, është sfidë sepse janë akumuluar disa probleme dhe ne jemi në përkrahje të këtij ndryshimi që përfaqëson kryetari Ahmeti”, tha Haradinaj.
Lëvizja Vetëvendosje, ndonëse është në krye të Prishtinës, nuk e ka shumicën e nevojshme në Kuvendin Komunal, ku puna e tyre shpeshherë pengohet nga asamblistët e LDK-së e PDK-së, të cilët kanë më shumë ulëse.
***
Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti dhe ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj kanë zyrtarizuar sot koalicionin ndërmjet VV-së dhe AAK në Komunën e Prishtinës.
Tash e pas këto dy parti do të jenë në bashkëqeverisje në këtë komunë.
Për këtë lajmë patën raportuar mediat qysh para një muaji, por ishte kundërshtuar nga zëdhënësi i kësaj komune Erzen Vraniqi.
Ai, pati thënë për KosovaPress se lajmi ishte spekulativ.