Dita e Veteranëve të UÇK-së, i ka gjetur mijëra luftëtarë të lirisë në protestë për mbrojtjen e vlerave të luftës. Përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së janë shprehur të zhgënjyer nga institucionet e vendit me trajtimin që po u bëhet atyre si vlera kombëtare. Ata kanë shtuar se nuk do të ndalen derisa t’i realizojnë të drejtat e tyre.

Duke brohoritur “Poshtë Qeveria”, “Poshtë Hajnat”, ata kanë filluar marshimin e tyre nga Pallati i Rinisë për t’u ndalur më pas para Kuvendit të Kosovës.

Me një fjalim rasti, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Muharrem Xhrmajli, i është drejtuar protestuesve, me ç’ rast ka thënë se tentimet e institucioneve për mohimin e kontributit dhe sakrificës së luftëtarëve të UÇK-së do të jenë të kota.

“Dëshmojmë se tentimet për mohimin e të gjithë kontributit dhe sakrificës së luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës nuk do të ketë sukses. Fatkeqësisht ditën e veteranit sivjet e shënojmë me protesta për mbrojtjen e vlerave të luftës që na solli deri këtu. Në vend që ne sot të festojmë, në vend që institucionet e vendit të dekorojnë luftëtarët për kontributin e tyre, të dekorojnë dëshmorët, ata e kanë miratuar një ligj i cili është ligj diskriminues”, ka thënë ai.

Xhemjali ka thënë se ata së bashku me Shoqatën e Dëshmorëve dhe Shoqatën e Invalidëve të Luftës kanë trokitur në të gjitha dyert që kjo çështje të zgjidhet në mënyrë institucionale.

Ish luftëtarët e lirisë kanë shfaqur pakënaqësi edhe me presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, duke e cilësuar atë si një “kukull” për faktorin politik vendor dhe ndërkombëtar.

Ky vleërim sipas tyre i jepet, sepse përkundër faktit që i kanë kërkuar që ajo të mos e nënshkruajë ligjin për veteranët e UÇK-së dhe i njëjti të kthehet sërish në Kuvend për ndryshim dhe plotësim, ajo nuk e ka marrë parasysh një gjë të tillë.

“Ne shfrytëzuam edhe të drejtën dhe bëmë kërkesë Presidentes së Kosovës që mos ta nënshkruajë këtë ligj dhe i njëjti të kthehet në Kuvendin e Kosovës për rishqyrtim. Fatkeqësisht edhe Presidentja me moskthimin e këtij ligji në Kuvendin e Kosovës tregoi që nuk është faktor uniteti ashtu siç duhet të jetë, por tregoi se është kukull dhe është vetëm një mjet i politikës vendore dhe asaj ndërkombëtare”, ka thënë Xhemajli.

Ai ka shtuar se protesta nuk po bëhet vetëm për çështje të benificioneve, por sipas tij, me këtë ligj është bërë mohimi i një pjesë të historisë së luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me kohën e përkufizimit të periudhës 97-99, është bërë mohimi i një pjesë të dëshmorëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai ua ka rikujtuar përfaqësuesve të institucioneve se ardhja e tyre në ato ulëse është falë sakrificës së gjakut dhe gjymtyrëve të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Xhemajli ka paralajmëruar se kjo nuk do të jetë protesta e fundit, nëse ata nuk e kthejnë sërish ligjin për veteranët e luftës në Kuvendin e Kosovës për rishqyrtim.

Protesta e ish luftëtarëve të lirisë ka filluar nga Pallati i Rinisë për t’u ndalur më pas para Kuvendit të Kosovës. Pas fjalimeve, ata kanë marshuar përgjatë rrugës Agim Ramadani për ta përfunduar më pas atë në pikënisjen, te Pallati i Rinisë. Pas protestës, pjesëmarrësit u shpërndanë të qetë.

Protestohet për mbrojtjen e vlerave të luftës

Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së edhe një herë dalin sot në protestë paqësore për të mbrojtur vlerat e luftës çlirimtare. Vendimi për këtë protestë ka ardhur si rrjedhojë e injorimit të kërkesave të veteranëve për një ligj të mirëfilltë.

Kategoritë e luftës kundërshtojnë Ligjin aktual për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarë të UÇK-së, pasi aty nuk përfshihen benificionet.

Thirrje që të dilet në numër sa më të madh në protestë kanë bërë edhe drejtuesit e shoqatave luftës së UÇK-së, Muharrem Xhemajli, Fadil Shurdhaj dhe kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari.

Përfaqësuesit e shoqatave të luftës, përveç që kanë shprehur kundërshtimin e tyre për këtë ligj, ata kanë kërkuar nga presidentja Atifete Jahjaga që mos ta nënshkruajë, por ta kthejë edhe njëherë në Kuvend dhe në kuadër të tij të futen edhe beneficionet dhe të drejtat e veteranëve të UÇK-së.

Protesta mbahet me 30 dhjetor në Prishtinë dhe fillon në ora 12.00. Takimi i protestuesve do të bëhet tek parkingu pas Pallatit të Rinisë/ Express

SHPËRNDAJE