Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli në një intervistë për Gazetën Online ‘Reporteri.net’ ka thënë se partia e tij mbetet konsistente në qëndrimin e saj se nuk do të bëhet pjesë e asnjë qeverie. Ka thënë se e gjithë kjo situatë, është papërgjegjësi e Vetëvendosjes dhe LDK-së në një kohë të rëndë për vendin.
“Në realitetin tonë politik ka filluar të instalohet një standard me mashtru. Me fol tjetër e me bo tjetër. Unë nuk i takoj asaj kaste. Këtu bëhet dallimi imi me tjerët. Unë them po e është po, në qoftë se them jo, është jo. E kemi dhanë një qëndrim. Nuk i kemi fituar zgjedhjet dhe ne do të jemi opozitë. Por, PDK asnjëherë nuk do të jetë vagon i qëllimeve të mbrapshta i fitimit të pushtetit. Ne kemi qellim në politikë dhe ai është interesi i qytetarëve, i shtetit. Në gjithë këto kohë jemi aktiv për të folur se po dëmtohet ky interes shtetëror. Këto kriza që janë shkaktuar nga VV dhe LDK janë gara të manipulimit e përftimit elektoral. Kjo sjellje e tyre ne kulmin e pandemisë është një papërgjegjësi totale”, ka thënë ai.
Veseli shtoi se nuk mund të ketë zgjedhje tani në kohë pandemie dhe shtoi se tash duhet ndjekur rrugën ligjore. Ai jep një shpjegim se pse edhe nuk qëndron arsyetimi që të vazhdojë punën qeveria në detyrë, sepse qenkemi në situatë të jashtëzakonshme.
“Qeveria është shkarkuar tanimë. Dhe rregullat demokratike janë të tilla që janë kushtetuese. Qeveria aktuale e ka problematizuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, e cila e kish krijuar premisën e kësaj që e thoni. Në qoftë se e marrim Kosovën sot në aspektin kushtetues, nuk jemi në gjendje të jashtëzakonshme, jemi pothuajse në gjendje normale dhe Kushtetuta nuk parasheh atë që po thoni ju, që do të ishte zgjidhja ma logjike. Kemi një situatë kur kryeministri e ka bllokuar vetën dhe e ka bllokuar Kosovën dhe tani është imponueshëm që të merren hapa politik që janë në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve. Ka mujtë më ndodhë ajo, por në rrethana të tilla nuk mund të kemi një zgjidhje të tillë”, ka thënë Veseli.