11:21 – Google bën homazhe për Steve Jobs

Google e ka tejkaluar rivalitetin e saj me kompaninë Apple, pas vdekjes së themeluesit të kësaj të fundit, vizionarit Steve Jobs. Momentalisht, nëse klikoni në Google.com, nën shiritin e kërkimit të rezultateve do të shihni linkun i cili të drejton tek faqja e Apple, ndërsa në këtë vegzë shkruan – “Steve Jobs, 1955-2011”.

11:09 – Bashkë-themeluesi i Apple, Steve Wozniak, pyet?

“Ku ta gjejmë edhe një Steve Jobs” pyet Steve Wozniak, njeriu i cili 35 vite më parë, e themeloi kompaninë Apple së bashku me të ndjerin Steve Jobs. Ai përveç se ndërtoi kompani të cilat e ri-definuan mënyrën e bërjes së biznesit, ai arriti edhe ta ndryshojë botën me punën e tij. Në SHBA, thotë Wozniak, të ngjashëm me Jobs, ishin vetëm Thomas Edison dhe Henry Ford.

10:51 – Trashëgimia e Steve Jobs, thesar për njerëzit e biznesit

Steve Jobs do të mbahet mend si një titan i biznesit, natyrisht. Por të gjithë ata që me dekada luftuan për t’i kuptuar kodet dhe veprimet e tij, do ta kenë të vështirë tani t’i deshifrojnë sukseset e tij në biznes. Megjithatë, trashëgimia kryesore e Steve Jobs do të mbetet përgjithmonë eleganca, thjeshtësia në krijimin e produkteve dhe krijimi i përvojave të reja për përdoruesit.

Vlen të thuhet se Steve Jobs nuk besonte shumë në fokus grupe, dhe hulumtime të tregut.

Në vend të kësaj, ai gjithmonë bazohej në intuitën e tij për të krijuar nevoja të reja në treg, për të bërë produkte që tregu nuk i ka kërkuar asnjëherë, mirëpo menjëherë pas lansimit të tyre, bota është çmendur për ta poseduar një pajisje të tillë si iPhone, iPod, iPad, ose iMac. Veprimtaria e Jobs do të mbetet një thesar i çmuar për të gjithë profesionistët e biznesit dhe marketingut. Ka qenë një qasje ndryshe, për ata që mendojnë ndryshe, prandaj edhe slogani i kompanisë ishte “Think Different”

10:43 – Pas vdekjes së Steve Jobs, bien aksionet e Apple

Aksionet e Apple Inc. kanë rënë me 2.5 për qind në bursën elektronike të Gjermanisë, pas lajmit për vdekjen e ish drejtorit ekzekutiv të kompanisë Apple, Steve Jobs.

“Rënia e aksioneve të Apple në mëngjesin e sotëm është shokuese” ka thënë Andreas Lipkoë, tregtar i aksioneve në MWB Fairtrade Wertpapierhandelsbank AG në Frankfurt. “Si vizionar i madh që ishte, ai pati organizuar gjërat shumë mirë në Apple, mirëpo unë mendoj se edhe drejtori aktual i Apple do të menaxhojë mirë” tha ai.

09:51 – Deklarata e plotë e Presidentit amerikan Obama për vdekjen e Steve Jobs:

“Unë dhe Michelle jemi shumë të pikëlluar me lajmin për vdekjen e Steve Jobs. Steve ishte njëri ndër inovatorët më të mëdhenj të Amerikës – i guximshëm për të menduar ndryshe, i fortë mjaftueshëm për të besuar se mund ta ndryshojë botën, dhe i talentuar për ta bërë me të vërtetë” ka thënë Presidenti amerikan Barack Obama.

Duke ndërtuar një nga kompanitë më të suksesshme të planetit nga garazhi i tij, ai ka ilustruar frymën dhe zgjuarsinë amerikane.

Duke i bërë kompjuterët personal, dhe duke e vendosur internetin në xhepat tonë, ai e ka revolucionarizuar informacionin, jo vetëm duke ofruar qasje në të, por duke e bërë atë edhe intuitiv dhe argëtues.

Duke i transformuar talentet e tij në rrëfime, ai ka sjellë gëzim tek miliona fëmijë dhe të rritur të cilët duan të bëhen si ai. Steve gjithnjë ka thënë se çdo ditë duhet jetuar sikur të ishte e fundit. Dhe pasi që e ka jetuar këtë, ai ka arritur të transformojë jetët tona, dhe ka bërë diçka që është shumë e rrallë në historinë e njerëzimit: ai e ka ndryshuar mënyrën se si të gjithë nga ne e shohim botën sot.

Bota ka humbur një vizionar. Dhe nuk ka përkujtim më të mirë për suksesin e tij, sesa fakti që njerëzit e kanë marrë lajmin për vdekjen e tij përmes pajisjes të cilën ai e ka zbuluar vetë.

Unë dhe Michelle i kemi dërguar lutjet dhe ngushëllimet tona tek familja e Steve, gruaja e tij Laurene dhe tek të gjithë të tjerët që e kanë dashur atë.

Themeluesi dhe ish-drejtori i kompanisë më të vlefshme në SHBA, Apple, Steve Jobs ka vdekur në moshën 56 vjeçare, pas një beteje të gjatë me kancerin.

SHPËRNDAJE