Dr. Shefqet Krasniqi Në javën e kaluar tërë bota pa sesi morri fund njëri ndër diktatorët më të mëdhenj bashkëkohor, një njeri i cili pretendonte se vetëm ai e ka mirë, një njeri i cili ëndërronte të bëhet mbret i tërë botës, e në veçanti i asaj Islame. E pasi që nuk arriti, atëherë u përpoq që të bëhet mbret i shteteve afrikane ku gjeti një përkrahje goxha të madhe. Gadafi ishte një njeri shumë i çuditshëm, i cili u mundua që edhe nga ana e sistemit politik të jetë i veçantë; nuk e quante veten komunist, ani pse ishte shumë i ndikuar nga ish-liderët komunist.
 
Nuk ishte as demokrat anipse pretendonte që shteti i tij është demokrat, sikur që nuk ishte as islamist,sepse nuk e pëlqente sheriatin islam, gjente vërejtje edhe në Kuran. Ai nuk ishte pro perëndimor, e as pro lindor, ai ishte siç thotë populli “shah në veti”, ishte diçka i veçantë. Nuk ishte i mençur, por nuk ishte as i çmendur, shumë herë gabonte, por jo rrallë herë edhe ia qëllonte. Me Islam krenohej, por në të njëjtën kohë Islamin e luftonte. Ai në vitin 1975 publikoi librin e tij të njohur “Libri i gjelbër”, me të cilin kritikonte sistemet kapitaliste perëndimore, por të njëjtën kohë edhe ato islame lindore. Ishte një sistem i veçantë, me çka i obligoi tërë popullin e tij që të punojnë me atë libër, i cili sipas tij zëvendësonte edhe Kuranin.
Gadafi kishte një pamje trishtuese, ia kishte shëmtuar Allahu fytyrën, gati sa i përngjante Iblisit. E si mos t’i përngjaj, kur populli i tij më herët, para katër dekadave, kishte kërkuar që në pushtet t’iu vie djalli i madh Iblisi. E si ndodhi kjo? Gadafi si një oficer i ri, në fund të viteve gjashtëdhjeta organizoi një revolucion me kolegët e tij, eprorët ushtarak, e më pas ju bashkëngjit edhe populli i tij dhe u ngritën kundër mbretit të atëhershëm Idrisit, i cili ishte një mbret plak, i devotshëm e i sinqertë, por i dobët nga pushteti. Protestuesit shëtisnin nëpër rrugë dhe brohoritnin “e duam Iblisin, e nuk e duam Idrisin”. Idrisi kur pa turmën e madhe që i është drejtuar pallatit të tij, pyeti: kush janë ata njerëz dhe çka po thonë? I  treguan se po e duan Iblisin e jo Idrisin. Atëherë Idrisi ngriti duart nga qielli dhe tha: “ O Zot përgjigju lutjes së tyre!”, pranojua lutjen, hiqua Idrisin e sillua Iblisin. Dhe subhanallah, Allahu ua pranoi lutjen dhe ua solli Iblisin, dmth shejtanin kryesor, më të madhin –Gadafin, i cili jo vetëm që veprat i ka pasur të dreqit, por edhe pamjen ia bëri Allahu gati si të dreqit. Po të nderuar, çka të kërkosh prej Allahut të Madhëruar të jep, çka të lypsh gjen, andaj duhet pasur kujdes se çfarë kërkon njeriu. 
Gadafi ishte ndër “burrat e shteteve” që më së shumti qëndruan në pushtet, dyzet e dy vite. Ishte nga diktatorët e shumtë të shekullit të kaluar, të cilët qëndruan në pushtet me dekada. Dhe është nga të fundit që kanë mbetur nga shekulli i kaluar. Kështu, nëse themi se shekulli i kaluar ka qenë “shekulli i diktatorëve” ndoshta nuk gabojmë, ashtu siç nuk gabojmë nëse themi se shekulli i kaluar ka qenë ndër shekujt më të dëmshëm dhe më të disfavorshëm të mbarë njerëzimit, e në veçanti të muslimanëve. Thuajse të gjithë atyre diktatorëve iu ka ardhur fundi shumë keq, të gjithë ata tashmë mallkohen, asnjë nga ta nuk lavdërohet. Fundi i keq i erdhi edhe Gadafit, i cili u nënçmua dhe u përbuzë në çastet e fundit të jetës së tij derisa u vra. Kërkonte mëshirë nga kryengritësit, të cilët i kishte shtypur me tanke me dekada. Kërkonte mëshirë nga ata që ua kishte vrarë prindërit dhe të afërmit e tyre, kërkonte mëshirë nga populli i tij, që ky kurrë nuk kishte pasur mëshirë ndaj tyre, qoftë edhe një ditë të vetme gjatë pushtetit të tij. Për të gjaku i njeriut kishte qenë më i lirë sesa gjaku i një kafshe. Me dhjetëra mijëra njerëz të ekzekutuar, pa gjykim paraprak. Ndërsa burgjet ishin të stërmbushura me djem të rinj të cilët donin ta shijojnë lirinë sikur njerëzit e tjerë. Gjithë atë gjak që e ka derdhur, gjithë ato krime që i ka bërë dhe të kërkojë mëshirë? Jo, për Zotin, nuk ka mëshirë për të, por njeriu nuk mund të bëjë më shumë sesa ta vras apo ta mbys dikë. E do ta sheh ai se çka do t’i bëjnë atij melaqet e Allahut sa ta fusin në dorë.  Vdekja e Gadafit dhuratë e madhe nga Allahu. Vdekja e tij është një gëzim i madh i mbarë njerëzve dhe dashamirëve të paqes e mirësisë. Është një fitore e madhe e drejtësisë. 
Fundi i tij është edhe një argument tjetër se: sado që të zgjat zullumi, atij do t’i vjen fundi. Fundi i tij është një sinjal i qartë për ata mizor e diktatorë që kanë mbetur ende në pushtet se edhe ata nuk e kanë larg. Fundi i tij do t’i shtyj dhe stimulojë edhe popujt tjerë të cilët janë duke vuajtur prej pushtetarëve që ta ngrijnë zërin e tyre kundër tyre, deri në realizimin e qëllimeve të mira. Deri në rrëzimin e diktatorëve dhe shijimin e lirisë, për të cilën edhe janë krijuar njerëzit. Ngase siç ka thënë Halifja Omer: “Njerëzit nuk janë krijuar që ju t’i bëni robër, por janë krijuar që të jenë të lirë”. 
Si do që të jetë fundi i tij, ajo çka është me rëndësi për ne sipas mendimit tim, është se njeriu nga do që t’ia mbaj, çfarëdo rruge që ta ndjek, sado që të bëhet “i fort” e “i madh”, atij do t’i vijë fundi, ai do të futet në tokë e të bëhet dhe, ashtu siç ju ka ardhur fundi edhe shumë e shumë mizorëve e diktatorëve tjerë para tij, që ndoshta kanë qenë edhe më të vrazhdë dhe më mizorë sesa ky. Por, Allahu nuk ngutet, ani pse neve po na ngutet. Ka thënë Allahu: “Çdo gjë që është mbi tokë (dhe në këtë gjithësi) do të zhduket, do të shkatrrohet” (Kur’an, Rrahman: 26.) Dhe dalëngadalë do t’i vijë koha Gadafit dhe çdo njeriu tjetër për të dalë para Zotit për të dhënë llogari. Andaj nuk ia vlen assesi që njeriu ta rris mendjen e të harroi se lartë mbi kokë e ka Zotin e tij, i cili e sheh dhe e dëgjon dhe për çdo fjalë e vepër nesër e gjykon dhe sipas veprave e shpërblen apo e ndëshkon. Nuk ia vlen ndryshe njeriu të sillet në këtë jetë pos me mirësi e drejtësi, në mënyrë që të mundohet të sjell tek njerëzit paq e lumturi. Siç ka thënë Pejgamberi Muhamed: “Sillu ndaj njerëzve ashtu siç ke dëshirë që ata të sillen ndaj teje.” 
Allahu na bëftë të mirë, të sjellshëm e të butë ndaj njerëzve, të dobishëm për vete, për familje dhe shoqëri. Na bëftë që të jemi të mirë në këtë botë dhe në botën tjetër. amin dhe deri javën tjetër me një temë tjetër selam alejkum.
SHPËRNDAJE