Listës së policëve të rënë në detyrë, të enjten iu shtua edhe Izet Demaj nga Istogu. Ai u vra gjatë një tentim-grabitje të armatosur që ndodhi në Istog. Demaj u varros sot me ceremoni shtetërore pranë shokëve të tij të luftës në Koshare. Ndërkohë, në nderim të tij Presidenti Thaçi ka shpallur ditë zie.

E enjta ishte dita e fundit që Izet Demaj veshi uniformën e policisë. 42 vjeçari nga Vrella e Istogut, u vra gjatë një tentim-grabitje të armatosur që ndodhi në një filial banke në Istog.

Po, atë ditë grabitësit ishin armatosur e kishin marrë rrugë drejt një prej bankave që gjendet në qendër të Komunës së Istogut, për të kryer grabitje.

Por, aty u zunë në pritë nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës, e pas një përleshje me armë zjarri, mbeti i vrarë grabitësi Kamer Metaj, i cili e plagosi rëndë pjestëtarin e policisë, Izet Demajn.

Demaj do të përcillej urgjentisht në spital të Pejës, por plagët që kishte marrë gjatë aksionit ishin shumë të rënda dhe ai nuk mundi të ju mbijetonte.

Mjeku kujdestar i spitalit të Pejës, Sadri Berisha bëri të ditur se polici u dërgua në spital pa shenja jete. Ai shtoi se pavarësisht përpjekjeve të mjekëve nuk kanë mundur të bëjnë asgjë më shumë, derisa kishte deklaruar se vdekja e policit mund të ketë ardhur për shkak të gjakderdhjes së madhe që ka pësuar gjatë rrugës.

“Ka qenë i plagosur me armë zjarri. Ka qenë një numër i madh i plumbave në trup. Një ka qenë një qafë, një tjetër afër zemrës dhe një tjetër në krahun e djathë që kanë mundur potencialisht të ia marrin jetën”, ka deklaruar Berisha.

 

Haradinaj: S’guxojmë ta lëmë kurrë policinë vetëm, kriminelët s’do marrin ligjin në dorë

Polici i ndjerë ishte edhe ish’ushtar i UÇK’së, e kishte luftuar në brigadën Agim Ramadani, ndërkaq ka lënë prapa dy vajza.

Familja e Demajt janë krenar me veprën e tij, e kjo po i ngushëllon kur kujtojnë ndodhinë e dy dite më parë. Express dje gjatë ditës ka qëndruar në familjen e policit Demaj në Vrellë të Istogut.

Familjarë miq, e bashkëluftëtarë e kujtojnë atë me fjalët më të mira.

Bekim Demaj, djali i axhës së tij u deklaruar se i ndjeri ka qenë djalë shumë punëtor, si në luftë, si pas saj.

“Dhimbja është prezente po faleminderit prej të gjithë atyre që vijnë për ngushëllim. Për çdo ditë jemi pa edhe dje ka qenë në detyrë po i ka ardh momenti në krye të detyrës më zbatu ligjin. Ka qenë në orar të punës. Në punë është dhënë një alarm që një bankë është duke u plaçkit, Izeti ka qenë një njeri që ka marrë pjesë në luftë, ka qëne djalë shumë punëtor” tha ai.

Një shok i tij u deklarua se për herë të fundit është parë me të para dy ditëve e i ndjeri nuk ka pasur probleme asnjëherë me asnjë person.

“Me Izetin bashkë jemi rrit s’ka më rëndë, me të bashkë jemi rrit ka qenë djalë shumë i mirë, i rregullt, i ri në luftë polic i mirë, po erdh momenti me u vra nga një kriminel. Pardje jam pa me të për herë të fundit. Absolutisht asnjëherë s’ka pas probleme me askënd”,tha Sefedin Maxharraj.

Familjarët e Kamerit kishin pak fjalë për të ndjerin dhe u distancuan nga vepra që kreu familjari i tyre. Ata patën një mesazh për familjen e policit, Izet Demaj.

Ata kërkuan falje prej tyre në ditën kur po pritnin të pame për personin që i mori Izetit jetën.

“I kërkojmë falje familjes së policit të vrarë, nuk kemi pas përshtypje asnjëherë që mundet me u marrë Kameri me këto gjana”, thanë ata.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se i ndjeri Izet Demaj i ka dhënë Kosovës nder, jo vetëm si polic por edhe ushtar i lirisë.

“Është moment ndryshe, sa herë kemi ardh këtu kemi folur për lavdi të ushtarëve. Policia është storie suksesi. Policia nuk e ka pasur të lehtë këto 20 vjet, ai për ta kthyer rendin ka qenë i sfiduar. Rasti i Demajt qe u detyrua me mbrojt ligjin është porosi që ne nuk guxojmë kurrë ta lëmë vetë policinë. Policia s’mund ta kryejë punën pa popullin. I madh, i vogël, jemi me familjen e Demajt. Nuk do të lejojë asnjëherë që rendin dhe ligjin ta marrin kriminelët. Nuk guxojmë ta lejojmë”, ka thënë Haradinaj.

Ka thënë se Policia e Kosovës do të përkrahet gjithmonë.

Nis ceremonia e varrimit të policit Izet Demaj

Ka nisur ceremonia e varrimit të policit Izet Demaj, i cili u vra pak ditë më parë në Istog.

Lamtumira e fundit do t’i jepet në varrezat e dëshmorëve në Koshare, me një ceremoni shtetërore.

Demaj u vra nga grabitësi Kamer Metaj i cili më pas u vra nga policia e Kosovës.

“Krenari të flasësh për dikë si Izeti, i përulem familjes së tij që i dha policisë njeriun më të dashur”

Drejtori i Policisë së Kosovës Rashit Qalaj, gjatë fjalimit të tij në ceremoninë e varrimit të policit Izet Demaj, i cili u vra para pak ditësh nga grabitësi Kamer Metaj, ka shprehur dhimbjen e tij pas kësaj humbje.

“Po ndahemi nga një koleg shumë i çmuar i policisë së Kosovës. Është krenari të flasësh për dikë si Izeti, për flijimin e tij për luftimin e krimit. Ideali i tij do të jetojë gjatë sepse do t’i jetësojmë ne. Unë dua t’i përulem familjes së tij, ju jeni dhe do të mbeteni pjesë e policisë së Kosovës që i dhatë njeriun më të dashur”, tha Qalaj.

Izet Demaj u vra para pak ditësh në Istog nga grabitësi poashtu i vrarë nga policia, Kamer Metaj.

SHPËRNDAJE