(AIK-Presheva Jonë)

 

“Lëvizja Vetëvendosje! konsideron se pretendimi për ta njollosur UÇK-në, kësaj radhe nëpërmjet Hashim Thaçit, është tendencë e turpshme dhe e papranueshme, që synon ta degradojë në aktivitet të ulët e kriminal luftën çlirimtare të popullit të Kosovës. UÇK-në nuk mund ta njollosë kush përmes Hashim Thaçit, apo cilitdo individ”, thuhet në një reagim të kësaj lëvizje.

“Pavarësisht faktit që persona të caktuar mund ta kenë keqpërdor luftën fisnike çlirimtare me qëllime të pastra për përfitime personale, kjo nuk mund të përzihet me përpjekjen e popullit tonë për liri, një përpjekje fisnike për të dalë nga prangat e dhunës e për t’i shpëtuar shtypjes e spastrimit etnik.

“UÇK-ja i përket sublimimit të luftës dhe sakrificës historike të shqiptarëve për çlirim, 2,500 dëshmorëve të luftës së fundit, familjeve të dëshmorëve, veteranëve e invalidëve të luftës. Kushdo që mund ta ketë keqpërdorur UÇK-në, nuk mund të fshihet pas UÇK-së”.

“Në anën tjetër, nëse KE-ja dhe BE-ja dyshojnë në Hashim Thaçin, le të mos e shfrytëzojnë atë vetëm sa për ta njollosur UÇK-në. Dhe në vend që ta trajtojnë atë si partnerin e tyre kryesor strategjik në mbajtjen e stabilitetit në kurriz të popullit të Kosovës, le ta vendosin para drejtësisë”.

“Ne druhemi se këto pretendime të Këshillit të Evropës nuk janë në funksion të drejtësisë, por gjithnjë drejt rritjes së trysnisë ndaj Hashim Thaçit për negociata dhe koncesione të reja me Serbinë për hyrjen e saj sa më të përshpejtuar në BE”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje!.

SHPËRNDAJE