Beogradi “trojkës” RJN duket se ju ka paguar udhtimin deri ne Strasbourg për te folur jo per diksrminim por per situaten e shqiptarve ne Serbi..Pavarësisht fjalëve, që thonë liderët tanë jashtë vendit, një është e qartë se ata mbrojnë qëndrimin e shtetit ku shkojnë! “Trojka”, Luginase nuk e pa të udhës, të paktën, të mbajnë një konferencë për shtyp, me mediet lokale, për të raportuar për vizitën e tyre në Strasburg.
Nga Sevdail HYSENI
Nënshkrimi i Memorandumit të bashkëpunimit në mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Prishtinës, Kujtim Shala dhe kryetarit të Këshillit Nacional, Jonuz Musliu dhe dy kryetarëve të komunave: Ragmi Mustafa, Preshevë dhe Nagip Arifi, Bujanoc, zgjoi nga gjumi dimëror liderët e Luginës.
Donacioni në vlerë prej 450 mijë eurove, të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dedikuar kinse për zhvillimin dhe afirmimin e kulturës shqiptare në Luginë, është një infuzion i mirë për ngritjen e rejtingut të tre musketarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
Kjo surprizë e këndshme financiare, vjen në kohën më të përshtatshme për krerët institucionalë shqiptarë, të cilët në vend të kulturës, do ta vejnë në prioritet politikën e proceseve zgjedhore të parakohshme në Serbi.
Drejtuesit e institucioneve komunale në Luginë, janë shkelësit kryesorë të kulturës. Ata nga buxhetet e tyre komunale, ndajnë aq pak mjete financiare, sa kultura në këtë rajon mezi e mbanë frymën gjallë e lërë më të tregojë veprimtari me interes kombëtar e qytetar! Askush në këtë Luginë, nuk e konteston mundësinë e keqpërdorimit të donacionit të Ministrisë së Kulturës nga Kosova, për qëllime tjera propagandistike!
Në rrugën e ngritjes së popullaritetit politik të liderëve institucionalë, nuk ndalet Lugina! Nga Prishtina, në Strasburg, vazhdon rruga e tre musketarëve.
Komisioni i Lartë për të Drejtat e Njeriut, në Strasburg, kohë më parë, ka pritur delegacionin nga Lugina, “trojkën” famoze: Jonuz Musliu, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa, kryetar komune në Preshevë dhe Nagip Arifi, kryetar i Komunës së Bujanocit.
Në këtë takim u diskutua për të drejtat e shqiptarëve në Luginë, për gjendjen ekonomike e sociale, e cila u paraqit e rëndë dhe me tendenca të keqësimit të mëtejmë. Ata i thanë komisionerit evropian se me këtë diskriminim Beogradi, po e shkel Kushtetutën e saj!
Këta tre musketarë, zyrtarë të Serbisë, të cilët marrin paga të majme nga shteti ku jetojnë dhe veprojnë, janë lejuar të marrin pjesë në Strasburg, duke ua hequr madje edhe shpenzimet e udhëtimit.
Me këto lehtësira, që ua krijon shteti përfaqësuesve legjitimë të Luginës, tregon qartë se Beogradi fiton poena tek ndërkombëtarët, për interesimin, që ajo shfaq për pozitën e pakicave kombëtare në Serbi.
Pavarësisht fjalëve, që thonë liderët tanë jashtë vendit, një është e qartë se ata mbrojnë qëndrimin e shtetit ku shkojnë!
“Trojka”, Luginase nuk e pa të udhës, të paktën, të mbajnë një konferencë për shtyp me mediet lokale, për të raportuar për vizitën zyrtare në Strasburg. Po si nuk u kujtuan, gjithashtu, të thërrasin ndonjë seancë të përbashkët me këshilltarët shqiptarë, për t’i komentuar kontaktet, që kanë zhvilluar me Komisionerin e Lartë për të Drejtat e Njeriut, në Strasburg? Ata, thjesht, nuk kanë shkuar për vikend me buxhetet vetanake, por me paratë publike, prandaj do të kishte qenë e drejtë e ndershme dhe korrekte, të japin informacioni për rrugëtimin e tyre zyrtar! Por, ata, janë mësuar me veprime të tilla paushalle! Po, a nuk ndodhi kështu edhe me udhëtimin e tyre zyrtar në Amerikë!?
Krejt do të ishte në rregull, normale dhe e dobishme sikur në Strasburg, të udhëtonte një delegacion nga radhët e Këshillit për të Drejtat e Njeriut, të pajisur me fakte e shifra për të dëshmuar diskriminimin sistematik institucional të ushtruar nga Beogradit, kundër
shqiptarëve si komunitet pakicë në Serbi, duke llogaritur edhe pushtet lokale të administruara nga vetë shqiptarët!
Shoqëria Civile “Perspektiva”, në Bujanoc