Në një bisedë për “Presheva Jonë”, kryetari i komunës së Prizrenit, z. Shaqir Totaj ka folur për zhvillimet politike dhe jo vetëm, në qytetin e Prizrenit. Për bashkëpunimin që kanë me LDK-në, për mosbashkëpunimin me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe të Sporteve, për besimin që ia dha PDK duke e nxjerrë si kandidat për kryetar si dhe për vashtirësinë që e pati që ta pranojë një nderë të tillë. z. Totaj gjithashtu flet edhe për mundësinë e bashkëpunimit me Luginën e Preshevës si komunë, por, i ka bërë përshtypje jo pak shkarkimi i znj. Ardita Sinani, veprim të cilin z. Totaj e quan si NO KOMENT.
Kushtrim MALIQI
Nuk kemi koalicion, por bashkëpunojmë në kuvend me LDK-në, u jam falemnderues
“Presheva Jonë”: Kryetar, tash kur janë bërë 6 muaj nga koha kur keni marrë udhëheqjen e qeverisë në qytetin e Prizrenit, a mund të na tregoni cilat janë raportet tuaja me Lidhjen Demokratike të Kosovës, a keni realisht koalicion dhe si po funksionon?
Totaj: Së pari unë ju falemnderoj shumë për rrugën dhe mundin që keni marrë nga Presheva për në Prizren, u jam mirënjohës. Pesë muaj janë bërë saktësisht që e kemi marrë pushtetin, diku tre muaj e gjysmë prej kur i kemi zgjedhur drejtorat. Së pari unë LDK-në e falemnderoj për kooperimin e mirë që kemi pasur, por, përkundër vullnetit tim dhe insistimit tim madje, më në fund nuk arritëm të bëjmë një marrëveshje për bashkëqeverisje, ani pse na me ta bashkëpunojmë në kuvend, madje bashkëpunojmë mirë pasi që asambleistët e LDK-së kanë një qasje konstruktive, për të mos bllokuar punët e mira për Prizrenin.
“Presheva Jonë”: z. Totaj, jeni një profesionist i shquar dhe i rrespektuar në shoqërinë tonë për fushën tuaj, a mund të na e thoni se sa e patët të vështirë të vendosni të merrni pjesë kaq aktivisht në politikë?
Totaj: Të ju them të drejtën nuk ka qenë aspak një vendim i lehtë, më është dashur të mendoj jo pak , por, duke e njohur qytetin e Prizrenit, e duke e parë seriozitetin e qasjes së atëherë kryetarit z. Veseli, të cilit i kam besu shumë, më në fund kam vendos që të kontriboj aq sa mundem për qytetin tim, edhe në këtë formë e edhe për Partinë Demokratike të Kosovës, e cila edhe përkundër atyre që kanë shumë kritika për të, unë mendoj se është parti e vlerave dhe kjo po dëshmohet cdo ditë e më tepër.
Prizreni do të kërkojë më të mirën nga qytetarët e zot, nuk do të jemi përjashtues sikurse deri sot
“Presheva Jonë”: A keni arritur ta zgjoni nga gjumi Prizrenin, pasi që viteve të fundit, në aspektin e punës, shumkush e ka quajtur qytet të fjetur e me mungëse të projekteve zhvillimore, sic i kanë hije qytetit historik të Prizrenit?
Totaj: Prizreni, pas luftës ka pasur katër kryetar komune, unë jam i pesti. Lirisht mund të themi se kryetari i fundit para meje, ka qenë më i dobti prej të gjithëve, ka pasur më parë lëvizje, por, viteve të fundit është thelluar nevoja për ndryshim. Para tetë viteve, z. Haskuka ka arritur të fitoj së pari një, e pastaj edhe të dytin mandat, duke promovuar ndryshime, për të cilat dorën në zemër gjithmonë ka nevoj Prizreni, por, ajo cka ndodhi me Haskukën ishte dëshprim, sepse ndryshimi ndodhi, por ishte për të keq, kanë stagnuar shumë gjëra, nuk po dua të ankohem në të, por, meqë më pyetët, por e tregoj të vërtetën. Tash kam filluar të ndryshoj qasjen përjashtuese ku kanë ekzistuar vetëm ata që kanë përkrahur Vetvendosjen, ndërkohë që për të zhvilluar Prizrenin, këtë kryeqytet shpirtërorë të gjithë shqiptarëve, duhet të ketë qasje gjeneroze, gjithpërfshirëse duke kërkuar potencial tek të gjithë, pa dallim. Tentimi për ta ndryshu mendësinë, është themel i punës tonë, kemi filluar dalëngadal, por, nuk jam ithtar i ndryshimeve të shpejta, sepse gjithcka që ndryshon shpejt, di të jetë edhe e dëmshme. Me mua në krye të komunës së Prizrenit nuk do të ketë revanshizëm politik, për askë, secili e ka hapsirën e vetë, do të shohim se kush e cka mund të ofrojë për Prizrenin.
Me MKRS nuk kemi aspak bashkëpunim, nuk i kuptoj për cka ekziston ajo ministri nëse nuk merret me Prizrenin
“Presheva Jonë”: Qyteti i Prizrenit është ajka e trashëgimisë tonë kulturore, a mund të na thoni se cili është bashkëpunimi me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe të Sporteve, është një ministri me një staf të madhë, sa janë kooperues?
Totaj: Qyteti jonë është shumë tradicional, me vlera të mëdha të historisë e trashëgimisë, e ku duhet të ketë kujdes në gjithcka që preket, sepse duke dasht të bëhet punë, mund të bëhet sherr apo dëm. Në anën tjetër, kjo mund të shihet edhe si mundësi e mirë, sepse përmes kësaj komponente, ne mund ta promovojmë jo vetëm komunën, por edhe shtetin.
Për fat të keq, kisha me thënë se për momentin, nga ana e MKRS-së nuk ka qasje bashkëpunuese, nuk kemi raporte furrfare, as të mira e as të këqia. I kam shkruar tri herë ministrit të MKRS-së, i cili është i Prizrenit e që jo se nuk më ka pranuar në takim, por nuk është përgjigjur fare në letra. është një qasje e quditshme, këtu në Prizren është një qendër e trashëgimis e që është pjesë e ministrisë në fjalë, me ta e kemi një bashkëpunim që mund të jetë edhe më i mirë, por kjo është një komponentë që unë edhe në fushatë e kam përmend, ne përmes pronoivmit të vlerave tona historike, e promovojmë edhe qytetin tonë, si dhe tërheqim turist.
“Presheva Jonë”: z. Totaj, e dijmë se pas Prishtinës, qyteti i Prizrenit është qyteti më i madhë në Republikën e Kosovës si nga popullsia, ashtu edhe nga benefitet, pra, ka buxhetin më të madhë të dytin pas Prishtinës, cka do të thotë se janë mundësitë e mëdha për keqpërdorime, nëse dikush e ka një vullnet të tillë. Ju nëse ja dilni që të përfundoni mandatin pa skandale, a mendoni se kjo do të jetë një bonus edhe për PDK-në, pasi që do të reflektojë në vota edhe për qendrën?
Totaj: Shikoni, Prizreni me të vërtetë është qyteti i dytë më i madhë pas Prishtinës, gjithashtu edhe për nga buxheti sic e cekët ju. Deri sot, kam pa disa parregullsi nga e kaluara dhe ju premtoj se nuk do të kalojnë heshturazi. Unë mendoj se për të qenë kryetar i suksesshëm i një komune, duhet të jenë të plotësuara dy kritere elementare, menaxhimi i mirë i parasë publike dhe i njerëzve, për cka unë them se nga detyrat që kam pas më parë, nuk më mungon as përvoja e as kredibiliteti në këtë drejtim. Sigurisht se qasja jonë në komunë, do të jep një mesazh të qartë për votuesit edhe në për nivel qëndrorë, pra për Partinë Demokratike, prandaj po, kisha me thënë se kjo është një përgjegjësi e dyfisht, pasi që përveq përmirësimit të jetës së qytetarëve në Prizren, ajo cfarë punojmë ne reflekton direkt edhe në suksesin e PDK-së në zgjedhjet e ardhshme.
Me një udhëheqsje kredibile e karizmatike, Memli Krasniqi po e drejton drejt suksesve PDK-në
“Presheva Jonë”: Kryetar, thatë se keni rrespekt për ish-kryetarin e PDK-së z. Kadri Veseli i cili vazhdon të mbahet padrejtësisht në Hagë bashkë me presidentin Thaci dhe të tjerët. Sot ku z. Veseli nuk është në krye të PDK-së, si po e shihni udhëheqjen e partisë nga z. Memli Krasniqi, e mori në një moment shumë të vështirë por mesa duket dalë ngadale por e gjenë rrugën e asaj që sic thotë vetë z. Krasniqi, se pse ekziston apo qëndron PDK-ja sot. A jeni pjesë apo kontribues indirekt në kambinetin e qeverisjes së mirë e cila është paralajmruar se do të ndodhë së shpejti?
Totaj: Shikoni, unë mendoj se kryetari aktual i PDK-së është duke e bë një punë të mirë, praktike e pragmatike, e ka treguar një gjë të tillë gjatë fushatës e cila qasje në kombinim me kandidatët e mirë, e ka dhënë rezultatin e kënaqshëm. Por, një gjë duhet të them se edhe sa ka qenë z. Enver Hoxhaj para tij, ka qenë e vështirë për të, por e ka udhëhequr me përvojën e vetë, pastaj edhe kjo periudhë me Memlin është padyshim një udhëheqje e mirë, ku po e përsëris, me kandidatët e mirë nëpër komuna për zgjedhjet lokale, na ka sjellë në një situat të kënaqshme e që i takon pra PDK-së, me tetë komuna prej të cilave tri të mëdha. Pra po e përsërishim atë që e tham më parë, se pasqyra e qeverisjes tonë është rezultat për zgjedhjet nacionale në vend dhe këtë po punojm ta bëjmë më së miri. Sa i përketë Kabinetit për Qeverisje të mirë që e përmendët, natyrisht se jemi konsultuar, kemi biseduar, kemi propozuar persona eksperta për atë kabinet. Unë personalisht e direkt nuk mund të jem i kyqur në punën e atij kabineti për shkak të angazhimeve në komunë, por, do të ndihmojmë PDK-në duke pasur kujdes që me qeverisje të miër në komunë.
Shkarkimi i znj. Ardita Sinani nga pozita e kryetares, një nguti e panevojshme, NO KOMENT!
“Presheva Jonë”: Meqë vijmë nga komuna e Preshevës, a keni parë ndonjë mundësi bashkëpunimi me komunën tonë, apo me ndonjërën nga tri komunat në Luginë, në cilindo aspekt?
Totaj: Deri tani nuk kemi pasur dicka të ngjashme, por kjo nuk do të thotë se në të ardhmen nuk duhet të kemi tentativa për të gjetur mundësi bashkëpunimi, për të parë se ku mund të gjinden ato, në rastin më të keq nuk do të humbnim asgjë, do të njoftoheshim dhe jam i hapur për bashkëpunime. Meqë veq jemi tek Presheva, deshta të ju shprehë një indinjatë timen të thellë për zhvillimet atje së fundi, ku është shkaruar ish-kryetarja Ardita SInani. Unë nuk e njoh as kryetarin aktual e as Arditën personalisht, por si një grua në krye të një komune, mendoj se është dashur të mendohet më gjatë shkarkimi i saj, është dashur t’i jepet një rast që të udhëheq për një mandat të plotë, nuk e di, e kam pasur një intuit se do të ishte e suksesshme, megjithatë, ndodhi cka ndodhi dhe këtë cka ka ndodhë e kisha komentu si një ngjarje NO KOMENT.