Në katërvjetorin Pavarësisë së Kosovës, Tirana do t’i japë një rruge në kryeqytet emrin “Ibrahim Rugova”. Bashkia e Tiranës me këtë rast ka pritur kreun e Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa.

BalkanWeb njofton se kryebashkiaku Lulzim Basha pas takimit me Isa Mustafën, gjeti rastin të urojë qytetarët e Kosovës dhe gjithë shqiptarët kudo që ndodhen për festën e Pavarësisë së Kosovës, ndërsa shtoi se mes Tiranës e Prishtinës do të nënshkruhet një marrëveshje bashkëpunimi.

“Dua t’i uroj për katërvjetorin e Pavarësisë, për këtë ditë shumë të rëndësishme për shqiptarët kudo që jetojnë dhe qytetarët e Kosovës. Gjatë bisedës u ndalëm në fushat e përbashkëta të qeverisjes lokale dhe problematikat me të cilat ndeshemi, me përvojat dhe me një plan bashkëpunimi që do ta konkretizojmë në vizitën time në Kosovë”, ka deklaruar Basha, duke shtuar se takimin me Mustafën do ta pasojë dhënia e emrit “Ibrahim Rugova”, të një rruge pranë pallatit të Shallvareve, ku i pranishëm do të jetë edhe kryeministri Sali Berisha.

Kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, është shprehur se ndjehet i privilegjuar që në katërvjetorin e Pavarësisë, Tirana i dhuron Kosovës një rrugë me emrin e presidentit legjendar të Kosovës.

“E ndjej vetën të privilegjuar që katërvjetorin e Pavarësisë ta festojmë në Tiranë bashkërisht. Ju falënderoj për hapjen e një rruge me emrin e presidentit historik. Ky është një nder i veçantë për ne, jo vetëm për respektin që tregoni ndaj figurës së tij, por edhe për kosovarët që janë flijuar për vlerat e demokracisë që sot po i jetojmë”, ka theksuar Mustafa.

Mustafa nënvizoi nevojën e eksperiencës dhe ndihmës që Shqipëria mund t’ia ofrojë Kosovës në rrugën e saj të zhvillimit, ndërkohë u shpreh entuziast për programe të përbashkëta në fusha të ndryshme. /Telegrafi/

SHPËRNDAJE