Thomas M. Countryman , Zv.ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit për Evropën, ka thënë të premten në Prishtinë se SHBA-ja pret që në Kosovë të ketë një Qeveri të pastër dhe të përkushtuar për të ecur përpara.

Ai i bëri këto komente pas takimit me kryeministrin e Kosovës në dorëheqje, Hashim Thaçi, me të cilin ka thënë se ka diskutuar për shumë çështje, por jo edhe për përbërjen e kabinetit të ri qeveritar.

Thomas M. Countryman ka theksuar se çështja e kabinetit të ardhshëm qeveritar u përket partive politike parlamentare të dala nga zgjedhjet e 12 dhjetorit, përderisa ka ritheksuar qëndrimin e SHBA-së që në Kosovë të ketë një qeveri me njerëz të pastër dhe të përkushtuar.

“Kryeministri nuk e ka shqyrtuar me mua përbërjen e kabinetit në ç’drejtim ka punuar dhe unë mendoj që është e udhës që të vendosë kësisoj. Mendoj që ky është një vendim që u takon partive që kanë marrë pjesë në këto zgjedhje. Unë kam besim të plotë se kryeministri dhe partitë tjera kanë dëgjuar qëndrimin tonë dhe qëndrimin e popullit të Kosovës dhe duan njerëz të pastës dhe të përkushtuar dhe besoj se ky është drejtimi i ri që do ta ketë qeveria e re”, ka thënë ai.

Countryman nuk ka dashur të japë ndonjë koment rreth koalicioneve të duhura, por ka thënë se më e rëndësishmja është që koalicioni të jetë efektiv dhe koherent.

“Unë nuk kam dhënë ndonjë këshillë specifike. Unë do të vë në dukje sikur që ka dhënë në dukje edhe ambasadori Dell, se madhësia e koalicionit, në një sistem parlamentar, sikur ai në Kosovë, është më pak i rëndësishëm, sesa koherenca dhe efektiviteti i koalicionit. Një qeveri e cila është bashkuar, aktive dhe efektive në adresimin e çështjeve prioritare për qytetarët do të jetë e suksesshme. Por në përgjithësi një koalicion i gjerë është më i mirë se ai më i ngushtë, mirëpo faktori kyç nuk është madhësia e koalicionit, por është koherenca, përkushtimi dhe vendosmëria”, ka thënë  Thomas M. Countryman

Megjithëse ka thënë se nuk i ka dhënë ndonjë këshill kryeministrit në dorëheqje Hashim Thaçi, ky i fundit në deklaratën e tij ka përsëritur të njëjtat që i ka dhënë Kantrimen, duke thënë se cilësinë e qeverisjes nuk e përbëjnë numrat.

Thaçi ka shprehur përcaktimin e tij për themelimin e institucioneve të reja me njerëz të aftë, të përgjegjshëm dhe të zotët të marrin përgjegjësi që u takojnë, përderisa ka theksuar se tashmë e ka shumicën e nevojshme për formimin e qeverisë.

“Theksoj se kemi siguruar mazhorancën e mjaftueshme për ndërtimin e institucioneve të reja. Cilësia e institucioneve apo e Qeverisë nuk varet nga numrat, por nga efektiviteti në punë, sepse Kosova ka pasur traditë të numrave të shumtë të koalicioneve në Parlament, por qeveritë nuk kanë qenë edhe aq efektive më herët, por kësaj radhe do të kemi një koalicion të koncentruar, por të efektshëm për punët që duhet t’i kryejmë në përputhshmëri me Kushtetutën, ligjet, programin dhe vizionin për forcimin e shtetit tonë dhe mirëqenies sociale të qytetarëve dhe rrugën e saj integruese në strukturat e NATO-s dhe Bashkimit Evropian”, ka thënë Thaçi.

I pyetur nëse kreu i AKR-së Behgjet Pacolli është i pranueshëm për president, Kantrimen nuk ka dashur të japë ndonjë koment, ndërkaq Thaçi ka thënë se kjo çështje do të jetë pjesë e marrëveshjes mes partnerëve të koalicionit.

“Edhe themelimi i institucioneve të reja, duhet të udhëhiqet prej njerëzve që mbi interesat partiake apo individuale, shikojnë interesin e shtetit të Kosovës, të themelimit të institucioneve të vendit, që i kryen punët me përgjegjësi të lartë shtetërore, prandaj kjo do të jetë pjesë e marrëveshjes mes partive që do të jenë pjesë e koalicionit që tanimë dihet se kush do të jetë, pra PDK-AKR-Lista Ibrahim Rugova dhe gjithë komunitetet serbe dhe jo serbe me një mazhorancë të mjaftueshme, por shumë të konsoliduar”, është shprehur Thaçi.

Ndryshe, gjatë këtij takimi, kryeministri në dorëheqje Thaçi e ka njoftuar diplomatin amerikan për procesin e zgjedhjeve, reformat e përgjithshme në të gjitha fushat dhe për konsolidimin e institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 12 dhjetorit, përderisa ka shprehur përkushtimin për vazhdimin e qeverisjes së mirë, efektive dhe efikase, sundimin e ligjit dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

SHPËRNDAJE