Me rastin e 4 Korrikut Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi i ka dërguar një telegram urimi presidentit amerikan Barak Obama dhe popullit amerikan. Në telegram ndër të tjerash thuhet;

Shkëlqësia Juaj, President Obama,

Dita e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës është ndër ngjarjet më të rëndësishme historike dhe politike të njerëzimit, ku 235 vjet më parë u krijua shteti që u bë simbol i lirisë, demokracisë dhe vlerave universale.

Kjo ditë ka frymëzuar popuj e kombe, lëvizje politike e ngjarje të mëdha në tërë botën, për të realizuar ëndrrat dhe idealet e lirisë, për të krijuar vende, shoqëri dhe kombe të lira e të emancipuara.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë luajtur rol historik në mbrojtje të popullit shqiptar në përgjithësi, dhe veçanërisht në përkrahjen e Kosovës në vitet 1998, 1999, që u kurozuan me çlirimin e Kosovës dhe hapjen e nje perspektive të re.

Jeta e lirë dhe ndërtimi i institucioneve të reja në Kosovë, të mbështetura vazhdimisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet mike, bënë që vendi ynë ta realizojë ëndrrën me të madhe historike, Pavarësinë e Kosovës, më 17 shkurt 2008.

Institucionet dhe qytetarët e Kosovës u janë mirënjohës përjetë Shtetetve të Bashkuara të Amerikës dhe popullit amerikan për kontributin e jashtëzakonshën në çlirimin e Kosovës dhe në përkrahjen për ndërtimin e institucioneve të reja dhe demokratike.

Kosova dhe institucionet e saj janë përkrahës të Shtetetve të Bashkuara të Amerikës dhe vlerësojnë lart kontributin e tyre në ruajtjen e paqes, krijimin e stabilitetit dhe përhapjen e vlerave globale anembanë botës.

Shkelqësia Juaj, President Obama,

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emër të qytetarëve të saj, ju lutem pranoni urimet më sinqerta me rastin e Ditës së Pavarësisë së vendit tuaj.

Hashim Thaçi,

Kryeministër i Republikës së Kosovës

SHPËRNDAJE