Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani. Në takim është biseduar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe në rajon, për bashkëpunimin ndërshtetëror mes Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe për procesin e integrimit evropian të dy vendeve.


Kryeministri Hashim Thaçi fillimisht i uroi mirëseardhje Presidentit shqiptar Nishani, në vizitën e tij të parë zyrtare në këtë cilësi në Republikën e Kosovës.

Në vazhdim, Kryeministri Thaçi bëri një ekspoze të të arriturave të shtetit të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë deri në periudhën e tanishme, kur edhe zyrtarisht po përmbyllet procesi i mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.

Suksesi i Kosovës në këto 4 vite e gjysmë të shtetësisë së saj është meritë e përkushtimit të institucioneve shtetërore të Kosovës, i unitetit politik dhe qytetar për të çuar përpara proceset zhvillimore dhe integruese të Kosovës. Pas përmbylljes së mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, prioritet kryesor vazhdon të mbetet përshpejtimi i agjendës së integrimit të Kosovës në BE dhe në NATO – theksoi kryeministri Thaçi.

Duke folur për bashkëpunimin ndërshtetëror mes Kosovës dhe Shqipërisë, Kryeministri Thaçi theksoi se ky bashkëpunim është i shkëlqyer dhe do të thellohet edhe më tej në fushat me interes të përbashkët, duke u fokusuar në bashkëpunimin ekonomik.

Nga ana e tij, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, falënderoi kryeministrin Thaçi për mikpritjen dhe theksoi se forcimi i marrëdhënieve të gjithanshme ndërshtetërore mes Kosovës dhe Shqipërisë është në interes strategjik të të dyja vendeve.

SHPËRNDAJE