Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ndodhet për një vizitë pune në Bruksel me ftesë të shefes së Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Catherine Ashton. Në qendër të diskutimeve do të jetë ecuria e deritanishme e dialogut Prishtinë – Beograd.

Zoti kryeministër, gjëja kryesore për të cilën duam t´ju pyesim sot është vijimësia e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës. Beogradi kërkon rritje të nivelit të dialogut teknik, t´a çojë atë në nivele më të larta politike. Ne kontaktuam të martën (24.07.2012) me zyrën e znj. Catherine Ashton ku na thanë që gjithçka është e mundur. Po ashtu na thanë se është e mundur të vazhdohet me dialogun e mëparshëm, por a është e mundur që të vazhdohet me këtë nivel të ri politik. Si e shikoni vazhdimësinë e dialogut? A jeni të gatshëm për nivelin e ri të tij? A jeni të gatshëm të flisni për çështje politike me Serbinë, mbase duke përfshirë dhe çështjen e statusit?

Hashim Thaçi: Ne kemi filluar tash dy vite dialogun për çështjet teknike. Kemi arritur disa marrëveshje dhe domosdoshmërisht duhet të fillojë implementimi paraprakisht i të gjitha këtyre marrëveshjeve, para se të nisë dialogu për çështje të tjera teknike. Pa fillimin e implementimit të këtyre marrëveshjeve asnjë lloj dialogu nuk mund të ketë sukses. Natyrisht, unë po punoj që të kemi fqinjësi të mirë, bashkëpunim të mirë, marrëdhënie të mira në rajon, perspektivë evropiane edhe për shtetin e Kosovës, edhe për Serbinë. Kosova është në prag të përmbylljes së mbikqyrjes së Pavarësisë më 11 shtator. Kosova ka fituar 91 njohje ndërkombëtare, po konsolidohet dhe forcohet dita-ditës. Dhe natyrisht edhe rritja e kontaktit në nivele politike është në interes të dy shteteve tona që të përshpejtojmë procesin e njohjeve reciproke si vende sovrane, për t´u integruar në NATO dhe Bashkimin Europian, edhe Kosova edhe Serbia. Po konsolidohet dhe forcohet. Është në interes që të rritet dhe natyrisht të ketë edhe nivele politike në mënyrë që të përshpejtohet procesi i njohjes së të dy vendeve. Çështja e statusit është mbyllur njëherë e përgjithmonë. Kosova është vend sovran dhe i pavarur. Ne, takime të niveleve politike kemi me të gjitha vendet fqinje, mund ta kemi edhe me Serbinë.

Duke pasur në mendje të shkuarën e politikës së qeverisë serbe në Serbi, a mund të mendoni se mund të arrini më tepër me qeverinë e re përsa i përket normalizimit të marrëdhënieve që kërkohet nga Bashkimi Europian? Çfarë është normalizimi sipas mendimit tuaj?

Lidershipi i ri në Beograd është produkt i vullnetit të vetë qytetarëve serbë. Unë punoj për fqinjësi dhe bashkëpunim ndërshtetëror. Për ne nuk kanë rëndësi emrat e lidershipit në Serbi, për ne ka rëndësi sjellja e tyre evropiane në raport me Kosovën. Sepse kemi nevojë për Kosovën evropiane, për Serbinë evropiane, për të gjithë rajonin evropian, si parakusht i domosdoshëm për ecje përpara, për t´u integruar në strukturat euro-atlantike.

Sipas mendimit tuaj, çfarë do të thotë normalizim i situatës?

Përmbyllja e kapitullit të së kaluarës, shikim nga e ardhmja. Unë kam propozuar dhe komisionin për të vërtetën dhe pajtimin që të shikojmë nga e ardhmja, të punojmë për të ardhmen, të punojmë për integrimin, mos ngelemi peng të së kaluarës, por të punojmë për progresin e së ardhmes.

Thatë që për ju nuk është problem që të takoheni me liderët politikë nga Serbia. Ka patur disa spekullime mediatike që ju mund të takoheshit me z.Dacic në Bruksel. Dacic deklaroi pak kohë më parë se ndryshimi i kufijve të Kosovës është ideja më e mirë. Çfarë mesazhi do t´i jepni në rast se do ta takoni?

Ajo është një ëndërr e parealizueshme e kujtdo që flet. Ajo ëndërr e Beogradit është shuar vitin e kaluar më 25 korrik, kur institucionet e Kosovës kanë marrë kontrollet e pikave kufitare. Kosova është një, është unike, me integritetin territorial të paprekshëm por edhe të njohur ndërkombëtarisht. Kosova është evropiane dhe sa më tepër që punojmë me standarde dhe model evropian, është në interesin e të gjithëve. Pretendimi për të ndryshuar kufirin e Kosovës është pretendim i rrezikshëm për të gjithë paqen dhe stabilitetin në rajon.

Së fundmi z.Thaçi, cili do të ishte mesazhi juaj për serbët e veriut të Kosovës?

Mesazhi për qytetarët e mi serbë në veri është që të rrisin besimin tek institucionet e Kosovës. Ata janë qytetarët e Kosovës dhe unë dua t´ju shërbej të gjithëve. Edhe në atë pjesë të Kosovës duhet të kete rend dhe ligj, lëvizje të lirë, demokraci, zhvillim ekonomik. Mesazhet e mia janë mesazhet e së vërtetës për ta, ndërsa mesazhet e Beogradit janë mesazhe thjesht të gënjeshtërta. Ata nuk duhet të mbeten të mashtruar dhe të jenë viktimë e politikës, por të njohin realitetin dhe të kenë zhvillimin ekonomik, të kenë rritje të mirëqenies sociale, jetë më të mirë. Jeta serbe në Kosovë ka ndryshuar në pjesën më të madhe të Kosovës ku kanë formuar komuna të reja, kemi një bashkëpunim të shkëlqyeshëm në nivel qendror dhe lokal dhe po ndodhin zhvillime socio-ekonomike, po krijohen vende të reja të punës. Unë siguroj qytetarët e mi në veri se do ta respektoj dhe interesimin legjitim të Beogradit për ta, që do të thotë që unë nuk jam për ndryshime kufijsh, por për hapje kufijsh.

SHPËRNDAJE