Këshilli i Komunës së Tetovës sot ka votuar Këshillin drejtues dhe mbikëqyrës të ndërmarrjes publike transportuese ”Transporti Tetovë”.
Kryesuesi i Këshillit, Hysen Xhemaili, pret që kjo ndërmarrje të nisë funksionojë këtë vit, kur edhe pret që Ministria e Transportit dhe Lidhjeve t’i miratojë disa autobusë.
Gjithashtu, Këshilli ka votuar edhe planin operacional për mbrojtje nga vërshimet për vitin 2016, që parasheh rregullimin e lumenjve, shtretërve të lumenjve, mbajtjen e kanaleve hapur, etj.
Një pjesë e parave janë siguruar nga buxheti i komunës, ndërkaq për pjesën tjetër është dorëzuar kërkesë te Ministria e mjedisit dhe planifikimit hapësinor.
250.000 euro janë ndarë për sanimin e shtretërve të lumenjve të Reçicës së Vogël, Reçicës së Madhe dhe Porojit, fshatra këto që u përfshinë nga vërshimet e vitit të kaluar.
Këshilli i Komunës vendosi formimin e qëndrës për zhvillimin e fëmijëve ”Rinia”, si edhe mori vendim që Stadiumin e qytetit, pas renovimit, ta menaxhojë Ndërmarrja publike Tetova.