Më duhanpirës sesa ne në Maqedoni dhe shqiptarët e Shqipërisë, në Evropë janë vetëm bullgarët, me rreth 2300 fije në vit, që renditen të parët dhe fqinjët grekë me rreth 2200 fije

Që shqiptarët janë një popull duhanpirës, dhe nuk heqin dorë nga vesi, edhe pse ai po bëhet gjithnjë më i shtrenjtë, këtë e konfirmojnë tashmë edhe statistikat krahasuese në nivel evropian. Sipas një vëzhgimi të Project Sun, të kryer nga firma audituese KPMG, Shqipëria renditet në vendin e katërt në Evropë përsa i përket shitjeve të cigareve për frymë për moshën mbi 15 vjeç. Me rreth 2000 fije cigare në vit të shitura për frymë, Shqipëria renditet në të njëjtin nivel me Maqedoninë, sipas të dhënave që i përkasin vitit 2016. Më duhanpirës sesa ne në Maqedoni dhe shqiptarët e Shqipërisë, në Evropë janë vetëm bullgarët, me rreth 2300 fije në vit, që renditen të parët dhe fqinjët grekë me rreth 2200 fije. Në përgjithësi të gjithë vendet e Ballkanit gjenden në zonën e kuqe, si Mali i Zi, Serbia, Sllovenia. Në Evropë, ata që pinë më pak duhan janë suedezët, me rreth 700 fije cigare për frymë në vit, të ndjekur nga norvegjezët, anglezët e holandezët. Në Shqipëri, çmimi mesatar i një pakete cigare me 20 fije është 1.8 euro, ndërsa në Maqedoni është shumë më e lirë, 1.09 euro, në Serbi 1.63 euro . Në raport me vendet e tjera, gjithsesi një paketë cigare në Shqipëri është më e lirë. Në Greqi është 3.71 euro, në Itali 4.66 euro, ndërsa në Gjermani 5.34 euro. Në Britani, një ndër vendet ku konsumohet më pak duhan, një paketë kushton më shumë se 10 euro. Edhe në Norvegji për një paketë duhet gati 11 euro. Në Suedi, vendi ku konsumohet më pak, çmimi i paketës nuk është aq i shtrenjtë sa në dy vendet e tjera, por luhatet në 5-6 euro. Më e lirë cigarja është në vendet baltike, ku psh në Ukrainë kushton 0.58 euro,  në Rusi 0.83 euro, në Moldavi 0.66 euro. Të dhënat globale tregojnë se në përgjithësi shtetet evropiane kanë nivelin më të lartë të duhanpirjes në botë. Nga shtetet e kontinenteve të tjera, në listë është Kina, Libani, Koreja e Jugut, me rreth 2 mijë fije për frymë në vit. Dy shtetet që pinë më pak cigare në botë janë Uganda, Ishujt Solomon, Guniea, me më pak se 50 fije për frymë në vit. Në Shqipëri, sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik, rreth 40% e shqiptarëve janë duhanpirës. Megjithatë, rritja e vazhdueshme e çmimeve dhe ndalimi i pirjes së duhanit në ambientet e brendshme të lokaleve ka ndikuar në reduktimin e konsumit. Sipas të dhënave në Ministrisë së Financave, për 11 mujorin 2016, importet e cigareve ishin gati 2700 ton, nga gati 4 mijë ton për të njëjtën periudhë të 2010-s. Gjithsesi, rritja e çmimeve të cigareve të gatshme vlerësohet se ka nxitur dhe konsumin e duhanit të dredhur. (koha.mk)

SHPËRNDAJE