Nga Harry BAJRAKTARI

Shtate vjet pas vrasjes se kolonel Tahir Zemajt

 

 Kolonel Zemaj lidhur me tërheqjen e tij me forcat ushtarake nga Rrafshi i Dukagjinit thotë:” Forcat serbe morën sinjalin jeshil. Do të thotë atyre u lejohej pastrimi i territorit të Kosovës nga të gjitha njësitë e amateur të UÇK-së. Serbët angazhuan trupat e korparmatës 52 të Armatës së Parë dhe të Dytë, në bashkëpunim me aviacionin, artilerinë e rëndë dhe batalionin e blinduar.  

Shtatë vjet më parë u vra kolonel Tahir Zemaj, i njohur për udhëheqjen dhe strategjnë e Betejës së Logjës kundër ushtrisë dhe forcave policore serbe në vitin 1998. Ai u vra në një prit bashkë me djalin e tij, Enisin dhe kushëririn Hasanin derisa po udhëtonin nga Dukagjini për në Prishtinë. Ishte kjo një vrasje tjetër politike pas atentatit  që iu bë në Tiranë udhëheqësit të tij, Ahmet Krasniqit. Eshtë për të ardhur keq që vrasësit nuk kursyen as jetën e djalit të tij të ri, i cili atë ditë ndodhej me babain, kolenelin Zemaj. Kjo ka qenë një vrasje e rëndë, e cila për fat të keq, edhe sot  pas shtatë vjetësh, mbetet e pa zbardhur dhe e pa hulumtuar, ashtu siç kanë mbetur edhe vrasje të tjera të kësaj natyre gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

 Tahir Zemaj lindi në Strellc të Epërm të komunës së Pejës. Ky fshat  i njohur për kullat e bukura trikatëshe të  Dukagjinit që nga lashtësia ka kultivuar me dinjitet: bujarinë, mikpritjen dhe kulturën tradicionale shqiptare. Zemaj pasi kishte kryer gjimnazin në Pejë, respektoi dëshirën e babait të tij, që njëri nga djemtë të studionte në ndonjë akademi ushtarake. Ai me vullnet nis studimet në akademinë e Zagrebit, vazhdoi në Beograd dhe  i përfundoi në Sarajevë. Në Akademi ishte njohur me Ahmet Krasniqin, i cili vinte nga familja patriotike e Zhilivodës së Vushtrrisë. Ishte nip i luftëtarit dhe patriotit Aziz Zhilivoda, i cili deri në vitin 1952 kundërshtoi me armë okupimin e Kosovës nga Serbia në malet e Çicavicës. Zemaj dhe Krasniqi në detyra dhe vende të ndryshme ushtarake në kazermat e Jugosllavisë, kishin mbajtur lidhje të përhershme, si shokë dhe shqiptarë të një profesioni.

 

Tahir Zemaj duke treguar për punën e tij, pas mbarimit të akdemisë thotë:” Në fillim kam punuar në Kazermën Ushtarake në Pejë. Kam bashkëpunuar me kolonel Ali Muhaxherin, i cili ka qenë një udhëheqës i mrrekullueshëm ushtarak. Ky më ka nxitur të mësoj dhe përvetësoj disa nga dijet speciale ushtarake.”

 Pretendimet serbe që ta dominojnë tërë Jugosllavinë federative në vitet e 90-at, nxitën shqiptarët, sllovenët dhe kroatët që t’i kundërvëhen kësaj politike ekspansioniste të Beogradit që atëherë udhëheqej nga fashisti  dhe krimineli Sllobodan Millosheviq. Në këtë periudhë shumë ushtarë shqiptarë që shërbenin në kazermat ushtarake jugosllave vriteshin misteriozisht. Ata iu ktheheshin familjeve në arkiviole, duke u mveshur motive të dyshimta se, gjoja kanë bërë vetëvrasje. Për këtë ishin të shqetësuar edhe eprorët ushtarakë shqiptarë, që rreth këtyre likuidimeve misterioze kishin informacione më të përafërta për gjendjen në këto kazerma. Lufta në Kroaci dhe Bosnjë nuk arriti ta unifikojë asnjëherë faktorin e atëhershëm ndërkombëtar që gjakderdhje të ketë më pak. Më në fund u organizua Konferenca e Daytonit që t’ i jipej fund konfliktit më të egër në Ballkan. Mirëpo, ky për Kosovën nuk solli asgjë, ishte një deshtim .

Shpresat e shqiptarëve të Kosovës për një zgjidhje paqësore morën fund. E vetmja alternativë për Kosovën mbet lufta e armatosur. Në këtë kohë filluan të dalin formacionet e UÇK-së. Po ashtu presidenti Rugova, formoi Ministrinë e Mbrojtjes dhe në krye të saj vendos një ushtarak të karjeres, kolonel Ahmet Krasniqin. Ky formoi tri brigada të elitës dhe në krye të tyre emëroi komandant Tahir Zemajn, një ushtarak me përvojë. Këto brigada u përqëndruan në zonën e Dukagjinit. Ato zhvilluan luftime për gjashtë muaj. Janë të njohura beteja e Logjës dhe e Llukës nën udhëheqjen e tij.

    Tahir Zemajn, edhepse ishte stërnip i families sonë, nuk e njihja deri kur filloi lufta në Kosovë, në vitin 1997-1998. Edhe gjatë kësaj kohe me të kisha kontakte vetëm nëpërmjet bisedave telefonike. Kur u zhvillua beteja e Loxhës e thirra nga New York-u dhe bëmë një bisedë të gjatë përkitazi me rrethanat e luftës në rajonin e Pejës. Ushtria serbe pas kësaj beteje ndërmori aksione të ashpra kundër popullatës së Dukagjinit, sidmos kundër disa fshatrave të rrethit të Pejës dhe Lugut të Baranit. Popullata civile shqiptare pas sulmeve të një pas njëshme, filloi të grumbullohet në fshatin Isniq.

    Kolonel Zemaj lidhur me tërheqjen e tij me forcat ushtarake nga Rrafshi i Dukagjinit thotë:” Forcat serbe morën sinjalin jeshil. Do të thotë atyre u lejohej pastrimi i territorit të Kosovës nga të gjitha njësitë e amateur të UÇK-së. Serbët angazhuan trupat e korparmatës 52 të Armatës së Parë dhe të Dytë, në bashkëpunim me aviacionin, artilerinë e rëndë dhe batalionin e blinduar. Avionet ushtarakë bombardues të tipit “ Jastrabac” dhe “Ori” kanë sulmuar për herë të parë fshatin Loxhë. Civilët shqiptarë e shihnin shpëtimin e tyre vetëm në mbrojtjen e brigadave tona. Ata s’ kishin kujt tjetër t’i kërkonin ndihmë”. 

    Një herë tjetër më telefonoi dhe më tha se gjendja është rënduar, ka shumë civilë të vrarë dhe fshtatra të rrethuara. Të gjitha këto informacione  më shqetësonin mua dhe shqiptaro-amerikanët në SHBA. Unë për situatën atje informoja vazhdimisht miqtë e mi amerikanë, si Eliot Engel, Richard Holbrooke e të tjerë. Nga terrori serb popullata shqiptare filloi të përqëndrohet në një vend. Zemaj, duke treguar për gjendjen e atëhershme, pas përfundimit të luftës thotë:” Pas rivlerësimit të situatës në të cilën ndodhesha, kam vendosur të informoj të gjitha instancat e eprorëve të mi ushtarakë dhe civilë, dhe kam kërkuar ndërhyrjen e presidentit Dr. Ibrahim Rugova që ky me lidhjet e tij ndërkombëtare, të ushtrojë presion që të paktën serbët të ndalin aviacionin. Nga ana tjetër kam telefonuar edhe në New York . Kam biseduar me Harry Bajraktari n, që është një shiqiptaro-amerikan me origjinë nga Lugu i Baranit, me një aktivitet të shquar kombëtar në SHA.”

    Pasi kolonel Zemaj më telefonoi nga një vend në afërsi të Isniqit, m’ u lut që brenda mundësive të mia të ndërrmirrja diçka për të ndalur vrasjen e civilëve shqiptarë nga ushtria dhe policia serbe. Unë menjëherë thirra ambasadorin Richard Holbrooke dhe Kristopher Hill, të cilëve ua bëra me dije se një popullatë shumë e madhe e mbledhur në një vend në Dukagjin, ndodhet para një masakre, ngjashëm me atë të Srebrenicës. U thashë se kërkohet një ndërhyrje e shpejtë, dersa të mos jetë shumë vonë. Informacionin tim këta dy miq e morën shumë seriozisht dhe më premtuan që do të bëjnë çdo gjë që është e mundshme në shpëtimin e tyre.

Vetëm pak kohë më vonë, Zemaj ka marrë kontakt me shefin e atasheve ushtarake të vendeve të OSBE-së, Wolfgangt Kaufmann, i cili ka dhënë garanci se nëse do të tërhiqeshin forcat ushtarake shqiptare, mbi popullsinë civile nuk do të ndodhte ndonjë masakër.

    Koloneli lidhur me këtë rast në librin e tij” Kështu foli Tahir Zemaj” shkruan se : “Pas këtyre shkëmbimesh, Ministria e Mbrojtjes për herë të tretë më ka urdhëruar të përgatisë tërheqjen e trupave të mia. Nuk kisha municion për të rezistuar as për katër ditë“. Ky ka qenë qëndrimi i përbashkët i institucioneve të Republikës së atëhershme të Kosovës dhe ndërkombëtarëve.

    Me qëllim që të shpëtohej një masë e madhe e popullatës kolonel Zemaj fillon tërheqjen e forcave të veta në drejtim të  Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Në një rast kur forcat e FARK-ut dhe ato të UÇK-së kishin mosmarrëveshje në koordinimin e përbashkët të strategjisë së luftë, Tahir Zemaj pat deklaruar : “Unë nuk kam plumba për shqiptarë”.

Pas tërheqjes së Zemajt, në Dukagjin mbetet Ramush Haradinaj, rreth të cilit u grumbulluan luftëtarë të  UÇK-së nga kjo zonë dhe shumë të tjerë që iu mveshën këtij duke ardhur nga diaspora në luftë për liri.

 

Pas lirisë së fituar në Kosovë, me zotin Zemaj jam takuar dy herë. Kam biseduar për shumë momente  dhe në një rast më pat thënë se unë  si ushtarak kam zbatuar urdhërin e institucioneve, në këtë plan, të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovësë. Më akuzojnë, por unë kam kryer punën time si ushtarak dhe si përgjegjës. Kam  luftuar me dinjitet për lirinë e Kosovës dhe këtë do ta tregojë historia.

    Tash pas shtatë vjetësh të atentatit mbi të dhe mbi djalin e tij, është koha që të gjenden vrasësit, që me siguri ishin shqiptarë dhe pa dyshim ishin dorë e huaj. Për fat të keq deri më sot nuk u zbardh as rasti i vrasjes së  Ahmet Krasniqit në Tiranë, ai i Enver Malokut dhe i Xhemail Mustafës në Prishtinë dhe të disa veprimtarëve të tjerë që u vranë gjatë luftës dhe pas saj.

Jam i bindur se me zbardhjen e këtyre rasteve shteti i ri i Kosovës do të fitonte shumë në aspektin ligjor dhe të sigurisë kur aktorët e vrasjeve do të vëheshin para organeve të drejtësisë dhe do të merrnin dënimin e merituar. Ky është obligim ligjor, politik e moral që Kosova duhet ta kryej.

 

 

* Autori është veprimtar dhe biznesmen i njohur i komunitetit shqiptaro-amerikan 

SHPËRNDAJE