Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, ka deklaruar se është i gatshëm të takohet me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, nëse ai do të pajtohej për të diskutuar për “planin” e Beogradit për Kosovën. Duke folur mbrëmë në Jahorinë, ku u takua me presidentët e Bosnjë Hercegovinës dhe Kroacisë, zoti Tadiq tha se ai ishte i “interesuar për pjesëmarrje në bisedime, që do të çonin te zgjidhja” për Kosovën. Aktualisht, ai ka lënë të kuptohet se e ka përgatitur “planin” për Kosovën, që veçanërisht propozon “status special për Kosovën veriore”, rajon i banuar me popullatë shumicë serbe, që refuzon ta njohë pavarësinë e Kosovës. Në plan, poashtu, bëhet fjalë për statusin e manastireve të Kishës Ortodokse Serbe dhe pronën e banorëve serbë dhe të shtetit të Serbisë në Kosovë. Qeveria e Kosovës e ka hedhur poshtë këtë plan. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dje në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se është “në interesin e dy vendeve tona, është që të ketë edhe komunikim të drejtpërdrejtë ndërshtetëror në mes të lidershipit kosovar edhe atij të zgjedhur të Serbisë, por gjithmonë si dy shtete të pavarura sovrane”.

SHPËRNDAJE