Turqia u godit mbrëmë nga sulme terroriste që ndodhën pranë stadiumit të Beshiktashit pas sfidës që skuadra kampione e Turqisë e zhvilloi ndaj Bursasporit në stadiumin “Vodafone Arena”.

 

Shënjestra e terroristëve ishin pikërisht policët pranë impiantit sportive, ku si pasojë e shpërthimeve 30 prej oficerëve të policisë mbetën të vdekur, së bashku edhe me 7 civilë të tjerë.

 

Turqia shpalli sot ditë zie, por aktivitetet në shtetin fqinj nuk u ndërprenë, përfshirë këtu edhe ndeshjet futbollistike.

 

Kjo si për t’ua bërë të qartë segmenteve terroriste se askush nuk mund të prishë dot harmoninë dhe rrjedhshmërinë e jetesës në Turqi.

 

Para çdo ndeshjeje në kampionatin turk u mbajt një minutë heshtje, ndërsa gjesti që bëri futbollisti i Gallatasarajit, Yasin Oztekin ka qenë vërtetë domethënës dhe prekës.

 

Futbollisti i skuadrës “verdhekuqe” shënoi kundër Gaziantepspor në minutën e 12-të dhe zgjodhi t’ua dedikonte këtë gol pikërisht policëve që humbën jetën dje në sulmet terroriste pranë stadiumit të Beshiktashit.

 

Yasin shkoi pranë oficerëve të policisë që gjendeshin në stadiumin e Gallatasarajit pas shënimit të golit duke i përqafuar, në shenjë respekti, por edhe për t’iu dhënë kurajë pas humbjes së jetës së 30 prej kolegëve tyre ditën e djeshme.

 

SHPËRNDAJE