Albin Kurti nuk po lufton për ta bërë Albulena Haxhiun Kryetare të Kuvendit, por për ta kthyer Albulena Haxhiun në bllokuese të institucioneve të shtetit.

Në katër vitet e fundit, Kosova ka përjetuar një periudhë të paprecedentë tensionesh dhe bllokadash në sektorët më jetikë të shtetit. Mësimdhënësit, policët, mjekët e deri te minatorët, njëri pas tjetrit, kanë hyrë në greva të gjata dhe të dhimbshme, duke paralizuar funksionimin normal të shtetit dhe duke lënë pasoja të mëdha për qytetarët.

Në vend që të kërkonte zgjidhje ose të angazhohej në dialog të sinqertë me ta, kryeministri Albin Kurti ka zgjedhur rrugën më të keqe të mundshme: indiferencën.
Mësimdhënësit mbetën për javë të tëra në grevë, nxënësit pa shkollë dhe prindërit të shqetësuar për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Në vend që të takonte përfaqësuesit e tyre e të gjente zgjidhje, Kurti as që i pranoi në takim – një sjellje që tregon qartë përbuzjen ndaj halleve të qytetarëve.

E njëjta skemë u përsërit me policinë dhe mjekët. Paga sa për mbijetes, kushte të rënda pune dhe mungesë respekti institucional i shtynë këta sektorë jetikë drejt grevës. Ashtu si me mësimdhënësit, Albin Kurti nuk tregoi asnjë vullnet për zgjidhje. Ndërkohë, siguria publike dhe shëndeti i qytetarëve u lanë në mëshirë të fatit.

Por kjo sjellje e Albin Kurtit nuk ishte rastësi. Tani gjithçka po bëhet edhe më e qartë.

Sot, kur Kuvendi i Kosovës ndodhet në një krizë të thellë pas përfundimit të mandatit të Glauk Konjufcës në pozitën e Kryetarit, Kurti sërish ka zgjedhur të luajë me institucionet. Në vend që të propozojë një emër konsensual dhe të respektojë nevojën për funksionalitet të shtetit, ai ka hedhur për votim kandidaturën e Albulena Haxhiut – një figurë kontroverse dhe e papranueshme për të gjitha partitë opozitare.

Kurti e di shumë mirë se Haxhiu nuk do t’i marrë kurrë votat e opozitës. Dhe pikërisht për këtë arsye e ka propozuar atë: jo për ta zgjedhur, por për të bllokuar. Qëllimi i vërtetë është të krijojë një bllokadë institucionale, të paraqesë Kosovën si një shtet të pafuqishëm, të përçarë, që nuk di të qeverisë veten. Është i njëjti model si me grevat: nxit pakënaqësinë, i lë problemet të thellohen dhe pastaj i paraqet ato si dëshmi të “mangësive” të shoqërisë kosovare.

Në thelb, kjo është strategjia e Albin Kurtit: paralizimi i institucioneve për të ushqyer narrativën e krizës dhe për ta mbajtur veten në qendër të vëmendjes, duke e pozicionuar veten si të vetmin “shpëtimtar” të një shteti që ai vetë po e çon drejt kolapsit.

Kosova ka nevojë për udhëheqje të përgjegjshme, për qeveri që i zgjidh krizat, jo që i thellon ato. Grevat, bllokadat dhe përçarjet janë dëshmi se Kosova nuk mund të ecë përpara me logjikën e krizës së përhershme që po imponon Albin Kurti.

Redaksionale.

SHPËRNDAJE