Kosova duket se ka arritur një fitore të madhe në “betejën” për një prej talenteve më premtues të futbollit evropian – Arijon Ibrahimović. Mes ofertave dhe presionit nga dy shtete, ylli i ri me origjinë nga Prizreni ka dhënë sinjale të qarta: zemra e tij rreh për Kosovën!
Një Instagram story i fundit ku në veshjet sportive të tij shfaqet qartë flamuri i Kosovës ka ndezur entuziazmin e tifozëve dhe ka bërë që të gjithë të besojnë: “Çështja është e mbyllur – Ibrahimoviç do të luajë për Kosovën!”
Kush është Arijon Ibrahimović?
19-vjeçari i lindur në Nuremberg të Gjermanisë, me rrënjë nga qyteti historik i Prizrenit, është një nga talentet më të mëdhenj që aktualisht mban fanellën e Bayernit të Mynihut. I njohur për shkathtësinë, vizionin dhe shpërthimet në mesfushë, Arijon ka kaluar nëpër të gjitha grupmoshat e kombëtares gjermane, duke regjistruar 26 paraqitje dhe 11 gola.
Pas aventurës me ekipin e parë të Bayernit, ai u huazua fillimisht te Frosinone dhe më pas te Lazio, ku megjithatë nuk gjeti shumë hapësirë. Tani pritet që në fund të sezonit të rikthehet në Mynih, ndërsa gjasat janë që verën e ardhshme të transferohet përfundimisht – me vlerën në treg që arrin 4 milionë euro.
Një fitore ndaj Shqipërisë?
Kosova dhe Shqipëria ishin në një “garë të heshtur” për shërbimet e Ibrahimovićit, me të dyja federatat që i ofruan projektin e tyre sportiv. Megjithatë, duket se ai ka vendosur t’i thotë “PO” vendit të origjinës së prindërve të tij – Kosovës.
Çfarë përfiton Kosova?
Me një profil të lartë ndërkombëtar dhe përvojë në kampionatin më të fortë në botë – Bundesligën – Arijon Ibrahimović mund të jetë një nga shtyllat e reja të ekipit kombëtar. Ai do t’i japë freski dhe cilësi linjës ofensive, si dhe do të shërbejë si model për shumë të rinj shqiptarë në mërgatë që ëndërrojnë të përfaqësojnë Kosovën.