Pas një bashkëpunimi që patën fillimisht si opozitë kundër koalicionit PANA, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës do ta finalizojnë marrëveshjen e koalicionit, sot në një takim në nivel të liderëve. VV-ja e LDK-ja kanë premtuar se do të publikojnë marrëveshjen që kanë arritur për qeverisje, derisa ende nuk dihet se kush do të marrë ministritë, shkruan Gazeta Express.

Gati dy muaj kanë zgjatur diskutimet e partisë së Albin Kurtit e të Isa Mustafës, për t’u bërë bashkë në një qeverisje, ani pse dy subjektet patën dallime të mëdha në programe.

Dy ish-partnerët e opozitës, sot do të finalizojnë marrëveshjen për të qeverisur në katër vitet e ardhshme.

LDK-ja dhe VV-ja takohen në orën 14:00, në Kuvend të Kosovës, pas takimit të së shtunës ku u dha lajmi se puna e koalicionit, tashmë është e kryer.

Është raportuar se pesë ministri do i takojnë Lëvizjes Vetëvendosje, pesë Lidhjes Demokratike të Kosovës, një minoritetit serb dhe një për minoritet tjera. Gjithashtu, në pazar ka hyrë edhe pozita e presidentit që do të pasojë Hashim Thaçin, që sipas pajtimit do t’i takojnë partisë së Isa Mustafës. Edhe pozita e krye parlamentarit do t’i takojë LDK-së.

Tashmë dihet se VV-ja e LDK-ja do të qeverisin me 12 ministri, temë kjo që kishte qenë ndër të parat për të cilat ishte arritur dakordim në mes të grupeve punuese të partive.

Mirëpo, një dakordim se kush nga të dy partitë do të marrë ministritë e caktuara, apo emrat që do të marrin këto pozita, ende nuk është vendosur përfundimisht. Burime të Gazetës Express brenda LDK-së kanë bërë të ditur sot gjatë ditës se ende nuk dihet kush janë ministrat e koalicionit.

Ndryshe, cilado që të jetë marrëveshja në mes të LDK-së e VV-së, ajo duhet të kalojë edhe njëherë në Këshill të partive, për t’u votuar. Kështu e saktësojnë statutet e dy partive.

Neni 24 i statutit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, saktëson se në Këshill të Përgjithshëm të partisë votohet për koalicionet para dhe pas zgjedhore në nivel qendror. Tutje, saktësohet se aty miratohen edhe anëtarët e kabinetit qeveritar.

Edhe partia e Albin Kurtit do të duhej të kthejë marrëveshjen që nënshkruan sot me LDK-në e Isa Mustafës në Këshill të Përgjithshëm.

Në statut të partisë saktësohet se Këshilli i jep të drejtë kryesisë së partisë që të negociojë për koalicione, pastaj, marrëveshja me subjektin e caktuar kthehet për t’u votuar në këshill. I mbetet pastaj Albin Kurtit të vendosë se cilët do t’i propozojë për ministra nga partia e tij.

Nga zgjedhjet e gjashtë tetorit, subjekti i Albin Kurtit ka arritur që të marrë 29 deputetë, derisa, LDK-ja 28. Tashmë është bërë e ditur se së bashku me pakicat ky koalicion do të arrijë 62 vota, kurdo herë që thirret seanca nga presidenti Hashim Thaçi.

SHPËRNDAJE