skandFFKIndexKosova të martën festoi pranimin historik në UEFA, federatën evropiane të futbollit. Në Kongresin e UEFA-s që u mbajt në Budapest, Federata e Futbollit të Kosovës arriti që me 28 vota të bëhet vendi anëtar i 55-të, duke i hapur rrugë kështu edhe anëtarësimit më 13 maj në FIFA.

Jehonë të madhe gjithandej botës i dha edhe një top futbolli i dizajnuar enkas për këtë ngjarje nga fotoreporteri i Indeksonline, Blerim Uka.

Mediat në mbarë botën shfaqen imazhet e topit me mbishkrimin “Kosova, Welcome to UEFA”, por edhe flamuri shtetëror që po ashtu ishte përkujdesur Blerimi ta merrte me vete.

Të gjithë ata zyrtarë shtetëror e të FFK-së kishin shkuar atje me “duar në xhepa”, duke mos u shkuar ndërmend që të paktën një flamur ta kenë me vete.

E një pakujdesi e tillë, beri që një person me emrin Agim Maloku, i cili në faqen zyrtare të FFK-së rezulton të jetë anëtar i bordit dhe kryetar i Komisionit për inspektimin e objekteve sportive, të tentoj me dhunë t’ia merr topin fotoreporterit tonë. E gjithë ngjarja kishte ndodhur në hollin e hotelit, ku ishin të pranishëm edhe zyrtarë të shtetit dhe FFK-së.

 

Madje, Agim Maloku ai ofroi shpërblim Blerimit pesë topa tjerë vetëm për t’ia marrë topin historik. Mirëpo, Uka nuk pranonte kurrfarë çmimi, madje u desh të përdorë edhe forcën për t’ia marrë Agimit topin, i cili po ashtu nuk lëshonte pe.

Fotoreporteri i Indeksonline ishte përgatitur fort mirë për udhëtimin në Budapest. Dy flamuj të Kosovës, një i vogël dhe një i madh, dhe topi i dizajnuar enkas për pranimin e Kosovës, ishin të fshehur në çantën e tij. Madje, ato nuk u zbuluan as nga policët kufitar serbë.

Indeksonline pret sqarim dhe kërkim-falje për Blerim Ukën nga FFK-ja dhe Agim Maloku. E sa për sqarim për Malokun, lobimi i Blerim Ukës për pranimin e Kosovës në UEFA ka ndodhur shumë vite me parë, për këtë dëshmitar është edhe kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri.

Indeksonline nuk e ka publikuar këtë skandal deri me tash, meqë nuk dëshironim që festa e pranimit në UEFA të zbehej, megjithatë vlerësojmë se në një federatë të pranuar nga UEFA nuk duhet të ketë vend për njerëz të tillë si Agim Maloku. /Indeksonline/

SHPËRNDAJE