Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, organizoi mëngjesin e së mërkurës një takim të vendeve anëtare të G7-s dhe partnerëve të NATO-s, ku u diskutua për rënien e raketave në territorin polak një ditë më herët.

Sipas Reuters, duke cituar burime të NATO-s, Bideni u dha aleatëve informacione paraprake për atë që ndodhi.

“Presidenti i SHBA-së Joe Biden ka informuar G7-en dhe partnerët e NATO-s se raketa që ra në territorin polak është një raketë e mbrojtjes ajrore ukrainase”, ka thënë Biden, raportoi Reuters, duke cituar burime të NATO-s.

Një raketë e prodhimit rus goditi të martën fshatin polak Przewodowo, që ndodhet në kufirin mes Polonisë dhe Ukrainës, duke vrarë dy persona.

Zyrtarët polakë mbajtën një sërë takimesh të jashtëzakonshme dje dhe kryeministri polak Mateusz Morawiecki ka thënë se vendi do të aktivizojë nenin 4 të aleancës së NATO-s, që nënkupton konsultime të të gjitha vendeve anëtare për situatën aktuale.

Ky takim, si zakonisht në situata të ngjashme, do të drejtohet nga Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg.

Rusia e ka mohuar se ka drejtuar raketën në territorin e Polonisë.

SHPËRNDAJE