Mbrëmë rreth orës 22:00, policia ka marrë një informacion për një rast: “vdekje e dyshimtë”, që ka ndodhur në Shtime. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Smajl Gorani” të Shtimes, ku në shtëpinë e tij ka pësuar i riu (B. B. 19 vjeç, ashkali).

Raportet e para flasin se dyshohet që i riu ka pësuar si pasojë e goditjes së rrymës.

Familjarët kanë pohuar se tashmë i ndjeri, në orët e pasdites kishte shkuar për t’u pastruar në banjën e shtëpisë së re (të pabanuar). Pas gati 2 orësh, familjarët kishin hapur me forcë derën e banjës duke e gjetur të alivanosur viktimën. Pas dhënies së ndihmës së parë në QMF në Shtime, viktima në gjendje të rëndë është dërguar në QKUK në Prishtinë, ku edhe ka ndërruar jetë.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe Prokuroria e Qarkut, e cila ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa me hetimin e rastit të merret Njësia e hetimeve rajonale në Ferizaj.

SHPËRNDAJE