Prof. Dr. Lisen BASHKURTI

Ashtu sikundër prapa pemës fshihet pylli, edhe prapa titullit të këtij artikulli fshihet përmbajtja e tij. Ky artikull është reflektim mbi një moment të veçantë në historinë bashkëkohore të Shqipërisë, Kosovës dhe të mbarë shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor. Nuk është Kosova e kolonizuar serbe e Karaxhorxheviçve dhe as shqiptarët e viteve ‘13. Nuk është Kosova e mikluar e Federatës Jugosllave të Titos dhe as shqiptarët e “sovjetskit sojuz”. Nuk është Kosova e nëpërkëmbur, injoruar dhe e gjakosur e epokës diktatoriale të Millosheviçit dhe as shqiptarët e varfëruar, të trysnuar e të izoluar të diktaturës Hoxha. Madje nuk është as Kosova e erës së UNMIK-ut e as shqiptarët e iluzioneve demokratike. Është në fakt Kosova e mbas shpalljes së pavarësisë, e nisjes së shtet-formimit të saj dhe e ndërtimit të demokracisë, e fillimit të njohjeve ndërkombëtare në botë, e meritimit të opinionit pozitiv nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për legjitimitetin e pavarësisë, e sfidave të fundit me Serbinë dhe mbi të gjitha është epoka e madhe e dilemave për të ardhmen midis Shqipërisë dhe Kosovës. Është epoka e vendimmarrjeve të papërsëritshme për shqiptarët.

Në këtë moment historik dhe tërësisht unik, Shqipëria, Kosova dhe gjithë shqiptarët janë ekspozuar më shumë se kurrë përballë vetes dhe faktorit ndërkombëtar, brenda dhe jashtë tyre. Përballë vetes me arritje e sfida, iluzione e deziluzione, kënaqësira e pakënaqësira, progrese e dështime. Përballë botës me ulje-ngritje, servilizma e reagime, përparime e ngecje, tërheqje e kompromise, herë të këndshme e herë të dhimbshme. Pra kemi Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët midis vetes dhe botës, por edhe në dilemat ndërmjet tyre. Aq sa mund të thuhet se pikërisht në këtë situatë, Shqipëria, Kosova si dhe mbarë shqiptarët përjetojnë tranzicionin e pleksjes së mëvetësisë me ndërvarësinë ndërkombëtare, sa të qartë e të sinqertë, aq dhe të turbullt dhe plot farsë.

Ky është artikulli i thyerjes së heshtjes për gjithë gjeneratën e mendimit tim. Artikulli shpreh një dilemë të madhe. Një dilemë që nuk ka të bëjë kurrsesi me rikthime pas, por me ngurrime, hezitime, dritëshkurtësi kundruall atij kryqëzimi përballë të cilit koha na ka vënë si popull fatmirësisht të zgjedhim dhe paaftësisë së sotme që na barrikadon kudo për të mos e bërë atë. Libri në thuajse tërë faqet e tij shpreh dhe këtu është konsistent nga fillimi deri në fund, asimetrinë tragjiko-komike midis pritshmërive të larta e të merituara mbarëshqiptare në Ballkanin Perëndimor dhe lidershipeve mjaft të dobëta, mediokre, makute dhe të pamerituara për misionin e kohës dhe vizionet e së ardhmes.

Ky është artikull i të vërtetave të vështira. Nuk synoj të jap gjëra rëndom të njohura, nuk jep gjëra lehtësisht të gatshme dhe as nuk synon të shpjegojë në mënyrë deskriptive lëndën time. Artikulli është për një lexues që sheh prapa fakteve, të dhënave, definimeve, analogjive, aludimeve, metaforave dhe di të zbulojë të vërtetat sado të dhimbshme qofshin ato për këdo apo për shumëkënd. Si i tillë ky shkrim është provokues deri në dhimbje, kryesisht për njerëzit e politikës dhe intrigues deri në qortim, kryesisht për njerëzit e diplomacisë. Është piskamë për kohën tonë.

Ky artikull është kundër mediokritetit e mediokracisë. Dëshiroj t’i drejtohem një lexuesi që di të depërtojë në dinamikat e kohës, duke kapërcyer ato që njihen në dukje ose pranohen si të tilla për hir të politikave publike e farsës diplomatike. Synoj të jap një kapërthurrje shumë komplekse gati-gati të pashqitshme të Shqipërisë, Kosovës e shqiptarëve midis vetvetes dhe botës, midis politikës së tyre dhe influencës diplomatike ndërkombëtare, midis lartësimit të luftës dhe kërcënimit të vlerave prej vetë njerëzve të saj, midis glorifikimit të heronjve dhe dehereoizimit të tyre prapa proceseve hetimore e gjyqësore, midis idealizmit më se njëshekullor dhe rrezikut të baltosjes prej materializmit vulgar, midis përpjekjes të shoqërisë post-traumatike kosovare e mbarëshqiptare për hapje e transparencë dhe teorive e veprimeve konspirative gati-gati si ato të Luftës së Ftohtë.

Ky artikull është apel për mbylljen e një prej kapitujve më të vështirë e kompleksë të Kosovë së shqiptarëve – tranzicionin. Në vështrim përgjithësues, faza përmbyllëse e tranzicionit është prirje objektive e pashmangshme e përplasur me praktikat tejet tradicionaliste e aspak bashkëkohore të politikave aktuale mbarëshqiptare. Ka filluar kështu, krisja e madhe midis asaj që vjen vetvetiu si trend zhvillimi i nxitur e kërkuar nga shoqëria mbarëshqiptare, që është në fakt fundi i tranzicionit dhe ngecjes tërësisht subjektive të politikave dhe lidershipeve tona, për t’i hapur rrugë fazës së stabilitetit dhe prosperitetit mbarëshqiptar.

Ky shkrim është fshikull dashamirës kundrejt politikave e politikanëve tejet të konsumuar deri në obezitet. Duket se shqiptarët e vendosur prej mijëra vitesh në brigjet e Ballkanit Perëndimor lëngojnë sërish nga politika e politikanë, që me kokëfortësi nuk heqin dore prej recidivave të mykura e ngadonjëherë skajshmërisht lindore. Trendi objektiv zhvillimor dhe lidershipi subjektiv diletant shqiptar po krijojnë midis tyre një hapësirë boshe. Kjo zbrazësirë në kohët që presim ose do mbushet me ide, energji, politika e lidershipe kontemporane ose do të shpjerë pashmangshmërisht në një përplasje politike e sociale për t’i dhënë kështu fund tranzicionit, sikundër edhe disa kohë më parë, me anë të formave stereotipe të krizave të formatit, të tipit e nivelit të ndryshëm.

Këto rreshta janë klithmë për një rrymë politike të re që po lind me dhimbje të madhe. Në mënyrë direkte, por më së shumti në mënyrë tërthore dëshiroj të tërheq lexuesin te mendimi se koha ka ardhur si pa u ndier për dinamika politike krejtësisht të reja. Për shqiptarët është koha të kapin momentin. Mirëpo dinamikat politike nuk mund të burojnë nga paçavurat që kanë zënë myk nëpër zyra, nga politika e politikanë që fshehin mediokritetin dhe djallëzinë prapa zëdhënësve, nga mburravecë që rastësisht apo skenarisht u ndodhën në krye turmave kur binte komunizmi, nga komandantë trima të dikurshëm që janë bërë frikacakë të sodit, nga kockëkurët e lëvizjeve populiste të viteve më parë të transformuar në bark-shekullor turpësisht të pangishëm, nga të sfiliturit që rripeshin maleve apo rrugëve të kurbetit për mbështetje popullore te liderët që komunikojnë vetëm me skajp, nga tentuesit e pinjollëve të rilindësve të mëdhenj te servilët e rëndomtë të diplomatëve të huaj.

Më së fundi ky shkrim derdhet në një brengë serioze, që ka të bëjë me gjallërimin e komunikimit bashkëkohor brenda nesh dhe me mbarë botën. Jetojmë në një kohë kur të gjithë përballemi me komunikimin. Heshtja është heshtje. Si e tillë ajo duhet thyer. Prapa thyerjes së heshtjes bien lëvozhgat e politikës së kalbur dhe shpërthejnë energjitë e politikës së re. Thyerja e heshtjes është prologu i gjithçkaje. Thyerja e heshtjes lypet të shpojë timpanët e shurdhëta të atyre që veçse flasin si turma pa tru zemër krund e gërdhu dhe nuk dinë të dëgjojnë as ata që i votojnë. Këtë rrallë me thyerjen e heshtjes po bëzajmë me fuqi si asnjëherë më parë. Në vend të heshtjes koha kërkon komunikim. Komunikimet në nivele të ndryshme, nga lokalet te globalet, nga të brendshmet tek universalet, nga interaktivet te virtualet. Komunikimi është bërë forma tipike e ekzistencës dhe funksionimit të rendit të sotëm. Përmes komunikimit të hapur, interaktiv dhe permanent politikat dhe lidershipet moderne kudo në botë parashtrojnë vizione që krijojnë sinergji te njerëzit, mobilizimi i të cilëve krijon mundësinë e shndërrimit të vizioneve të liderëve në realitete të njerëzve.

Por, ndryshe nga kjo prirje zhvillimore bashkëkohore, politikat dhe lidershipet shqiptare hezitojnë ta shndërrojnë komunikimin në mënyrë të tyre të udhëheqjes. Në vend të këtij instrumenti të hapur, mesa duket politikat shqiptare vijojnë të preferojnë kulisat, prapaskenat, mërmëritjet prapa veshit, baltosjet e pamerituara të kundërshtarëve, mbjelljen e farsave konspirative, përllogaritjet makiaveliste me vjellje votash e përdorimin të frojdizmit si mënyra për të shmangur risitë në politikë e politikanë. Jo legjitimiteti, por manipulimi; jo transparenca, por terri; jo llogaridhënia, por mashtrimi; jo baza e gjerë demokratike vendimmarrëse, por imponimi – karakterizojnë politikat dhe lidershipet shqiptare në Kosovë e në mbarë shqiptarët.

Komunikimi është ura e ndërlidhjes dhe ndërvarësisë së sotme jo vetëm brenda shqiptare, por edhe në nivele globale. Mjedisi politik shqiptar nuk jeton në autarki komunikimi nga bota. Politika dhe lidershipi shqiptar don ta mbajë këtë mjedis në gjendje të tillë. Mjedisi politik shqiptar është një copëz e vogël për botën e madhe, por njëkohësisht është një copë e madhe për Ballkanin e vogël. Këtu është ura komunikative esenciale e ndikuese e shqiptarëve në kohën e sotme.

Ky status i shqiptarëve në Ballkan, që sot është më pranë realitetit se kurrë dhe pret zgjidhje të ndryshme nga ato të derisotmet, ende konsiderohet si fiksion nga politikat dhe lidershipet skajshmërisht të fragmentuara, mendërisht të dhjamosura, vizionarisht të verbuara. Akoma më keq, ky status i shqiptarëve që buçitshëm po troket në portat tona në këtë milenium, nga politikat dhe politikanët shqiptarë të sodit, vështrohet jo me sytë njerëzor shqiptarë, por me syzet e shtrembëruara të diplomatit të huaj, raportuesit teknokratë, të konsumuar burokratikisht e që numëron ditët të rikthehet pensionist në atdheun e tij.

Është momenti kur shqiptarët presin zgjidhjen e madhe. Statusi unik shqiptar në Ballkanin Perëndimor pret zgjidhjen përfundimtare tërësisht të merituar. Mirëpo ky status i pritshëm e i merituar vështrohet nga politikat e politikanët tanë si një fiksion pa baza reale brenda nesh dhe si kërcënim për të tjerët. Përballë përfshirjes mbarëshqiptare në një dinamikë bashkuese të përbashkët në Ballkanin Perëndimor, politikat e politikanët tanë preferojnë të përdorin frazën e shtirë, ledhatim për veten e tyre, garantim për diplomatin e huaj dhe alibi përgjumje për qytetarin shqiptar, sipas së cilës vlera shqiptare është se “kontribuon për paqen e stabilitetin në Ballkan”. Politika e politikanët shqiptarë po bëhen kështu gradualisht tragjedia e kombit të vet dhe grotesku i mbarë njerëzimit. Kjo frazë e rëndomtë, që politika e politikanët shqiptarë e kanë mësuar përmendësh nga diplomatët e huaj është shpikur për të arsyetuar kolltukun e makuterisë së liderëve tanë, portofolin e fryrë të diplomatit të huaj të huaj dhe varrosjen historike të shansit të tretë të shqiptarëve për të jetuar të lirë e të bashkuar në Ballkanin Perëndimor. (SHQIP)

SHPËRNDAJE