Ibrahim Kelmendi, njëri nga themeluesit e Lëvizjes Popullore të Republikës së Kosovës (LPRK), më vonë e njohur si LPK dhe ish-udhëheqës i Fondit “Vendlindja thërret” në Gjermani, si mysafir në Zona B, të Klan Kosova, ka deklaruar se e njeh me emër e mbiemër vrasësin e Jusuf e Bardhodh Gërvallës dhe Kadri Zekës, më 17 janarit të vitit 1982 në Gjermani. Ai, sipas tij, është Riza Salihu nga fshati Mushitisht, i komunës së Suharekës.

Por pjesëmarrës në këtë atentat sipas, Kelmendit, ka qenë edhe një tjetër të cilit nuk i përmend emrin për arsye, si thotë ai, se kjo do të pengonte gjatë procesit të hetuesisë.

“Unë e di edhe pjesëmarrësin e dytë, rastin e kam paraqit edhe te organet e drejtësisë kosovare pas çlirimit, te ish ministri i drejtësisë të Kosovës, Jonuz Salihi dhe te prokurori Tahir Rreci dhe u kam thënë që të analizojnë mostrat e cigareve të pjesëmarrësit të dytë në vrasjen e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, të cilat i ka hetuesia gjermane.

Kelmendi thotë se këtë dëshmi e ka dhënë edhe në prokurorinë gjermane. Madje sipas tij bashkë me Saliun ka qenë edhe një shqiptar tjetër, emrin e të cilit e ka deponuar në hetuesinë e shtetit në fjalë, por që nuk e thotë publikisht.

Kelmendi në librin “Lindja e përgjakur të autorit Bedri Islami, thotë: “Ndoshta është vendi të informoj se hetimet kundër Rizës gjermanët i riaktivizuan në vitin 1992, pasi shteti gjerman nuk kishte më interesa për të përkrahur Jugosllavinë, e cila kishte filluar të shpërbëhej. Unë mora pjesë në atë proces gjyqësor si dëshmitar kundër Riza Salihut. Gjykata e liroi Rizën nga akuza për vrasje në mungesë të provave, pasi vuajti ndoshta një vit e gjysmë burg”.

“Unë kam prova të mjaftueshëm për të besuar se ai ishte vetëm një argat i UDB-së. Gjithsesi, e kam akuzuar për ekzekutor, të komanduar nga UDB-ja dhe vazhdoj ta akuzoj, përderisa ai nuk e provon të kundërtën”.

Si një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ibrahim Kelmendi, thotë se gjatë vitit 1993 kishin marrë qëndrim që të formonin një krahë të luftës, meqë sipas tij, lëvizja politike nuk sillte rezultatet e pritura. Kelmendi thotë se ky krahë ushtarak emrin, Ushtria Çlirimtare e Kosovës e morri në vitin 1994.

Sipas Kelmendit, pas formimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës në vitet 90, LPK-së, për veç UDB-ës jugosllave, iu shtua edhe një armik, iu hapë edhe një front, sepse në LDK, sipas tij, kanë hy struktura të UDB-ës. “Sipas meja LDK u themelua me qëllim që ta fashitë rezistencën aktive të Lëvizjes sonë”, Kelmendi shton se këtë LDK e bëri me organizim të demonstratave të ndryshme paqësore, sikurse ishin edhe grevat e minatorëve.

Kelmendi tha se ishte edhe kundër kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berish, sepse sipas tij, ai gjatë një takimi me kancelarin gjerman, në vitin 1996, ka kërkuar zgjedhjen e çështjes së Kosovës brenda kufijve të Jugosllavisë, për çka së bashku me disa themelues të UCK-së, Kelmendi kishte hyrë në grevë urie, me që rast kanë kërkua dorëheqjen e Sali Berishës dhe kryetarit të LDK-së Ibrahim Rugovës, sepse sipas Kelmendit, Rugova, nënshtroi dhe skllavëroi shpirtërisht shqiptarët në Kosovë.

Ibrahim Kelmendi, ish-udhëheqës i Fondit “Vendlindja thërret” në Gjermani mohoi që ky fond të ketë keqpërdorur mjetet e mbledhura për të ndihmuar luftën në Kosovë. Ai thotë se këto mjete nuk kishin prejardhje të dyshimta dhe për këtë ka kërkuar edhe ndihmën e zyrtarëve Gjerman.

SHPËRNDAJE