Nga Veton SURROI, publicist

    Shteti kombëtar i shpallur para njëqind vjetësh dështoi së përfshiri në të shumicën e shqiptarëve të Ballkanit. Sot pothuajse një numër i ngjashëm i shqiptarëve janë qytetarë të Shqipërisë me numrin e atyre që janë qytetarë të shteteve fqinje

1.

Shqiptarët në Ballkan, ndërsa kremtohet në Republikën e Shqipërisë 100- vjetori i  shpalljes së Pavarësisë nga Perandoria Otomane, do të kenë një festë ca të çuditshme evropiane sivjet.

Prijësit shqiptarë, para njëqind vjetësh, duke shpallur pavarësinë e shqiptarëve në Vlorë, donin të përmbushnin diçka që do të mund të konsiderohej pothuajse një obligim evropian i 300 vjetëve të kaluar, pra të shpallnin një shtet kombëtar evropian. Duke e bërë këtë, prijësit shqiptarë mëtonin të zgjidhnin një rrugëtim dramatikisht tjetër historik- larg nga Perandoria shumëkombëshe Otomane e drejt familjes kakofonike perëndimore të shteteve kombëtare evropiane. Njëqind vjet më vonë, kjo e kremte evropianizmi mund të karakterizohet, pothuajse në tërësi, si një e kremte e mospërmbushjes.

Shteti kombëtar i shpallur para njëqind vjetësh dështoi së përfshiri në të shumicën e shqiptarëve të Ballkanit. Sot pothuajse një numër i ngjashëm i shqiptarëve janë qytetarë të Shqipërisë me numrin e atyre që janë qytetarë të shteteve fqinje.

Shteti kombëtar i shpallur para njëqind vjetësh ka kaluar më shumë kohë duke eksperimentuar me modele lindore të shtetësisë (despotizmi, komunizmi) se sa me ato perëndimore (demokraci liberale), madje në një moment duke shkuar në Kinën e Maos për t’u inspiruar në hermetizëm.

Dhe shteti kombëtar i shpallur në Vlorë do të kremtojë njëqindvjetorin duke mos e arritur fazën simbolike të marrëdhënies me BE, atë të vendit kandidat për anëtarësim në Klubin Perëndimor, atë të BE-së, një përkatësi, që në kushte tjera u ëndërrua para njëqind vjetësh.

Shqipëria, për të rezumuar, nuk e ka tërësinë shqiptare, pra nuk e ka përmbushur shqiptarizmin, pastaj nuk është e përmbushur si  perëndimore dhe së fundmi nuk është e përmbushur si evropiane.

2.

Janë dy kategori shqiptarësh që janë më afër Bashkimit Evropian. Kategoria e parë janë pothuajse një e katërta e kombit shqiptar, njerëzit që sot janë rezidentë evropianë të shtrirë nga Talini në Lisbonë, nga Rodosi në Dablin, pra emigrantët.

Kategoria e dytë janë shqiptarët autoktonë të Malit të Zi dhe të Serbisë, shteteve që kanë fituar statusin e kandidatit për anëtarësim në BE dhe të cilat me gjasë gjatë këtij dhjetëvjetëshi do të negociojnë një pjesë të rëndësishme të obligimeve të veta për t’u bërë vende anëtare të BE-së.

Që të dy kategoritë janë minoritete. Kategoria e parë janë minoritetet e reja – njerëzit që me emigracion, rrugëve ilegale dhe legale, dhiareve të Jugut, gomoneve të Adriatikut apo duke ikur nga përndjekja e luftës, kanë vendosur që të qëndrojnë në shtetet e reja, të formojnë familjet dhe, duke u shndërruar në numër të rëndësishëm të gjenden në situatë kur mund të kërkojnë të drejta të veçanta kulturore aty ku tashmë janë të vendosur si rezidentë apo madje edhe si shtetas. Kategoria e dytë janë minoritetet tradicionale, njerëzit që u gjendën në atë situatë, ndërsa ish-republikat jugosllave shndërroheshin në vende të pavarura.

Shqiptarët më larg nga Bashkimi Evropian janë ata shqiptarë që përbëjnë shumicën në shtetet e tyre, pra Shqipëria, e edhe më larg, Kosova. Në mes të këtyre dy grupeve, që janë më afër e më larg, gjenden shqiptarët e Maqedonisë, të zënë nga demografia vetjake: në numër të mjaftueshëm për të mos qenë minoritet tradicional, në numër të pamjaftueshëm për të arritur statusin e kombit të barabartë me atë të maqedonasve etnikë.

Leksioni i vështirë për shqiptarët në shekullin XXI është se ata janë më afër Bashkimit Evropian sa më e vogël të jetë  fuqia vendimmarrëse e tyre në shoqëri. Anasjelltas, sa më shumë vendosin për veten, aq janë më larg Evropës.

3.

Një shpjegim i thjeshtësuar i këtij fenomeni do të çonte ose drejt një racizmi të pafshehur antishqiptar ose drejt vetëfshikullimit: pra, shqiptarët janë të paaftë për të krijuar një shtet, për ta administruar atë, apo në këtë rast, për ta bërë vend evropian.

Një interpretim i ngjashëm bëhej nga Slobodan Milosheviqi, president i Serbisë, e më vonë edhe i pasardhësit të tij, Vojisllav Koshtunica, kur shpjegonin se pse Kosova nuk duhet të bëhej shtet i pavarur. Sipas tyre, shqiptarët e kanë të lindur paaftësinë shtetndërtuese.

Në fakt, por nga një perspektivë tjetër, njëri prej problemeve bazike me të cilin janë ballafaquar shqiptarët në historinë e tyre është mu procesi 100- vjeçar i ushtrimeve në shtetndërtime paralele. Prej momentit kur u shfaq Shqipëria e pavarur, e njohur në kufijtë e tanishëm, po ashtu u shfaq një problem fondamental. Gati gjysma e kombit shqiptar mbeti jashtë atij procesi të shtetndërtimit dhe u dërgua në procese të tjera që për fat të keq patën cilësinë e një theqafjeje. Për shqiptarët e Kosovës kjo do të thoshte një proces të dhimbshëm të shtetndërtimit të filluar në Jugosllavinë mbretërore (1918-1941) në cilësinë e një minoriteti të panjohur (në regjistrimin e parë shqiptarët u regjistruan si muhamedanë) që do të përfundojë, pothuajse një shekull pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.

Fati i shqiptarëve të Malit të Zi, të Serbisë dhe të Maqedonisë ishte i afërt me përvojën e bashkëkombësve nga Kosova, por filloi të ndahet në formë substanciale pas vitit 1968. Dhe, pastaj, me zhbërjen e Jugosllavisë, në çdonjërën prej republikave, tashmë shtete të pavarura, u ndërtua një identitet dhe paketë e veçantë të drejtash për shqiptarët.

Rrjedhimisht, shqiptarët kanë marrë pjesë, në njëqind vjetët e fundit, si subjekt apo objekt, në së paku pesë procese shtetndërtimi (me dallimet e tyre administrative e politike, por dhe ideologjike). Ky proces ende nuk ka përfunduar, në rastin e Kosovës dhe në një masë në Maqedoni.

Asnjë zhvillim historik i kësaj natyre, përpjesëtimisht, është i krahasueshëm në Ballkan . Dhe krahasimi më i afërt në Evropë do të ishte ai i kombit gjerman, i cili është mbi dhjetë herë më i madh dhe më shumë se një shekull përpara në zhvillim. (Koha.Net)

SHPËRNDAJE