Shqipëria ka marrë presidencën e rradhës së Asamblesë Parlamentare të Bashkëpunimit Ekonomik të vendeve të Detit të Zi që njihet si PABSEC.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, pas Vilnisut të Lituanisë, udhëtoi për në Kiev të Ukrainës, e ftuar nga kryetari i parlamentit të Ukrainës, Volodymyr Lytvyn. Në kryeqytetin ukrainas Kiev, u zhvillua Asambleja e Përgjithshme e 37-të e PABSEC ku merrnin pjesë deputetë nga të gjitha vendet anëtare të kësaj Asambleje si dhe Presidenti i Asamblesë parlamentare të OSBE-së dhe zëvendës presidenti i PE-së.

Jozefina Topalli mbajti një fjalë në këtë asamble me rastin e marrjes së presidencës nga Shqipëria. Ajo tha se “për mua është një privilegj i veçantë që Shqipëria merr presidencën dhe unë do të jem presidente e asamblesë së PABSEC”.

“Shqipëria si një bashkëthemeluese e kësaj organizate e vlerëson atë si një forum të një rëndësie të veçantë në çështjen e bashkëpunimit dypalësh dhe shumëpalësh të vendeve pjesëtare të kësaj organizate, por po ashtu për rëndësinë që kanë këto vende në bashkëpunimit për çështjet e sigurisë, të energjisë, të teknologjisë, të ekonomisë së gjelbër, në këto kohë sfidash për mbarë globin”, tha Topalli.

SHPËRNDAJE