Disa shkencëtarë kanë propozuar që sperma dhe qelizat vezë të 6.7 milionë specieve që jetojnë në planetin tonë të dërgohen në Hënë.

Rezervuari hënor i gjeneve, ku gjithashtu do të mund të ruheshin farat e bimëve, është propozuar të ndërtohet nën sipërfaqen e Hënës, në një lloj gypi të zgjatur.

Materiali gjenetik do të ruhej në temperaturë të përshtatshme, ndërsa objekti do të furnizohej me energji nga panelet diellore në sipërfaqen e satelitit natyror të Tokës, shkruan Daily Mail, transmeton Gazeta Express.

Sipas shkencëtarëve, në objektin e veçantë do të ruhej diversiteti gjenetik i gjallesave të Tokës në rast të ndonjë katastrofe globale, siç mund të jenë ato që shkaktohen nga ndryshimet klimatike, ndonjë supervullkan ose nga ndikimi i një asteroidi

“Toka është në mënyrë të natyrshme mjedis i brishtë. Si njerëz, rreth 75.000 vjet më parë kishim shpërthim të supervullkanit Toba, që shkaktoi periudhë 1000-vjeçare të ftohjes”, tha një nga autorët e studimit, Jekan Thanga nga Universiteti i Arizonës.

Ideja për krijimin e një rezervuari gjenetik për ta shpëtuar biodiversitetin e humbur nuk është e re. Më shumë se një milion mostra të farave ruhen në një hapësirë të ishullit Spitsbergen në Detin Arktik, për shembull.

Megjithatë, profesori Thanga dhe kolegët e tij sqarojnë se vendosja e këtyre objekteve në Tokë i bën ato të rrezikuara nga humbja e mundshme, prandaj është propozuar ndërtimi i një objekti të veçantë në Hënë.

Sipas llogaritjeve të profesorit, dërgimi i 50 mostrave për secilën prej 6.7 milionë specieve do të mund të bëhej me 250 fluturime me raketa.

SHPËRNDAJE