Shefi i stafit të kryeministrit Albin Kurti, Luan Dalipi, ka thënë se një 14-vjeçare serbe ka vdekur për shkak të propagandës që serbët e Kosovës duhet të shmangin trajtimin nga mjekët shqiptarë të Kosovës.

Bëhet fjalë për një vajzë e cila kishte pësuar një lëndim në shpretkë në Qendrën e Skijimit në Brezovicë javën e kaluar, lëndim nga i cili ndërroi jetë.

Sipas Dalipit, ajo nuk u dërgua në qendrat më të afërta mjekësore, ku mund t’i shpëtohej jeta.

“Vajza, për fat të keq, pësoi një lëndim në shpretkë gjatë skijimit në qendrën skijimore në Brezovicë më 15 shkurt. Ajo është dërguar në spitalin e Mitrovicës së Veriut, 2 orë larg, duke anashkaluar dy më të afërtat (Ferizaj-30 min dhe Prishtinë-50 min). Dhe u bë tepër vonë për ta shpëtuar”.

Dalipi tutje ka shtuar se ka mjekë të mirë në Prishtinë e Ferizaj që ndoshta mund t’ia kishin shpëtuar vajzës jetën.

“Janë dhjetëra mjekë shqiptarë me eksperiencë të mirë që mund ta kishin trajtuar vajzën në Ferizaj apo Prishtinë dhe ndoshta, vetëm ndoshta ajo mund të ishte shpëtuar”, ka shkruar Dalipi.

SHPËRNDAJE