Më shumë se 800.000 amerikanë kanë vdekur nga koronavirusi. Kjo është shifra më e lartë shtetërore në botë.

Numri i frikshëm u arrit vetëm pak ditë pasi Shtetet e Bashkuara të hënën e shënuan edhe të infektuarin e 50-miliontë, shkruan BBC.

Shumica e vdekjeve janë regjistruar në mesin e personave të pavaksinuar dhe të moshuar, ndërsa më shumë amerikanë kanë vdekur nga pandemia më 2021 sesa më 2020.

ShBA-ja përsëri po përballet me rritje të numrit të viktimave në shkallë alarmuese. 100.000 vdekjet e fundit janë regjistruar vetëm për 11 javë, rritja më e shpejtë gjatë pandemisë, përpos përhapjes së dimrit të kaluar.

Shifra e përgjithshme e viktimave është më e madhe se popullsia e qyteteve si Bostoni apo Uashingtoni. Ky numër nënkupton se gati dyfish më shumë amerikanë kanë vdekur gjatë pandemisë sesa gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Pas Shteteve të Bashkuara, më së shumti të vdekur nga pandemia kanë regjistruar Brazili me mbi 616.000 viktima dhe India me mbi 475.000 të vdekur.

SHPËRNDAJE