Në deklaratën e tij para trupit gjykues, Pjetër Shala, i akuzuar për krime lufte, ka deklaruar se ka luftuar kundër një makinerie policie ushtarake të një regjimi kriminal të Slobodan Millosheviqit, por kurrë kundër civilëve.

Shala ka thënë se ai e respekton drejtësinë dhe nuk i ik asnjëherë drejtësisë e se asnjëherë në jetën e tij nuk ka bërë atë që i ngarkohet në aktakuzë dhe se këto janë të panjohura për të, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Unë kam qenë një luftëtar që kam luftuar për lirinë  e vendit tim dhe popullit tim, asgjë më shumë e as më pak”, ka thënë Shala.

Tutje, tha se nëse është qëllimi i këtij institucioni ta dënojë pasi ka luftuar për lirinë e vendit të tij dhe popullit të tij, është në rregull, por jo në këtë mënyrë të baltoset dhe njolloset dhe jo në këtë metodë, pasi as ai e as UÇK nuk kanë luftuar kundër civilëve dhe nuk kanë pasur të bëjnë asgjë me këto akuza.

“Këto aktakuza që më ngritën janë të panjohura për mu, s’kam asgjë të bëj”, tha Shala.

Tutje, deklaroi se ka disa fjalë edhe për Prokurorinë dhe sipas tij ai nuk e ka në edukatë që të fyej.

“Unë jetoj që 25 vjet apo shkurt thënë gjysmë shekulli në Belgjikë, shtet demokratik, detyra e prokurorit aty ku jetoj unë është hulumtoj, zbuloj paraqes provat dhe kërkoj drejtësi, në asnjë mënyrë t’i sajoj, t’i fabrikoj, në asnjë mënyrë. Madje aty ku jetoj unë është vepër penale, është e dënueshme”, tha Shala.

Sa i takon Dhomave të Specializuara, ai tha se nuk dëshiron të fyejë dhe shtoi se nuk e ka përkrahur asnjëherë.

“Mirëpo, deshi fati të jem këtu para jush dhe nëse këtu me të vërtetë ka vetëm pak drejtësi, shpresoj që atë drejtësi do të ma jepni të më shpallni të pafajshëm”, tha Shala.

Ai tha sërish se dëshiron të thotë qartë dhe pa asnjë dyshim se është plotësisht i pafajshëm për të gjitha akuzat që  i janë bërë dhe pretendimet që i bëhen në këtë proces.

SHPËRNDAJE